×
  • Lajme
  • Lajme

    Kabashi: Të larguarit nga PDK-ja adresë do të kenë Vetëvendosjen

    Reporteri
    19 Qershor 2019 | 17:47

    Drejtori i Gazetës Online “Reporteri.net”, Bekim Kabashi, ka thënë se vendimi i kreut të PDK-së që të lirojë nga pozitat drejtuese në parti dhe institucione të gjithë zyrtarëve me aktakuza është hap shumë i mirë dhe duhet të ndiqet edhe nga partitë tjera.


    Por Kabashi ka thënë se është paksa e paqartë nëse veprimi i Veselit është veç për institucionet qeveritare apo edhe për institucione ku zyrtarë të PDK-së janë të zgjedhur e jo të emëruar.

    “Në qeveri kemi të bëjmë me persona të emëruar, kurse të zgjedhurit është pak më ndryshe, pasi kanë marrë votat e qytetareve, pavarësisht se e ka propozuar partia, dhe njëjtë është edhe për deputetin e Kosovës që merr besimin e qytetarëve. Duhet të presim a ka të bëjë veç me institucionet qeveritare, ministra e zv.ministra. Por është hap shumë i mirë, duhet ta ndjekin edhe partitë tjera”, ka thënë Kabashi në T7, shkruan Reporteri.net.

    Ai më tej ka pohuar se PDK-ja ka qenë partia më e kritikuar për emërimin e zyrtarëve me aktakuza, andaj duhet të bëhet shembull edhe për partitë tjera dhe si në botën perëndimore kur dikush që përballet me ligjin të mos menaxhojë me paranë publike.

    Kabashi ka thënë se vendimi është i vonuar, por duhet të pritet si do të shkohet tutje.

    “Që është i vonuar s’ka dilemë, por thënia klishe ‘më mirë vonë se sa kurrë’. Mundet me u pa në shumë dimensione, por vendimi është i mirë dhe pritet të shihet si do të shkoj tutje”, ka deklaruar Kabashi.

    Ndërsa, duke folur për lirimin nga pozita të Agim Çekut e Besim Beqajt ka thënë se ata do të duhej të largoheshin vetë.

    “Agim Çeku e ka degraduar pozitën e tij si ish kryeministër, ish gjeneral duke pranuar postin e zv.ministrit. Çeku e Beqaj duhet të largoheshin vetë dhe mos ta prisnin vendimin e Veselit. Faji është i atyre ngase kanë tregu egoizmin për të qenë në pozita institucionale deri në momentin që i shkarkon dikush”, ka deklaruar ai.

    Kabashi ka thënë se nuk e di nëse Veseli ka fuqi e vendosmëri për ta çuar para këtë nismë, por sipas tij do ta ketë të vështirë, jo vetëm pse ka njerëz të fuqishëm në PDK, por edhe për shkak të lidhjes që kreu i kësaj partie ka me disa figura me të cilët ka qenë edhe  bashkëluftëtarë.

    Kabashi ndërkaq ka paralajmëruar se veprimi i Veselit mund të bëjë që disa figura të largohen nga PDK-ja dhe të shkojnë drejt Vetëvendosjes.

    “Do të ketë turbulencë në PDK në këtë nismë të Veselit, pasi reagimi do jetë shumë i ashpër”, ka deklaruar Kabashi. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!