×
  • Lajme
  • Lajme

    Kadri Veseli erdhi në Kosovë pasi babai i tij u shtrua në spital, kjo është gjendja e tij shëndetësore

    Reporteri
    02 Maj 2021 | 21:19

    Gjendja shëndetësore e babait të ish-kryetarit të PDK’së, Kadri Veselit, është e rëndë, kanë bërë të ditur nga Spitali i Mitrovicës.


    Gazeta Express nga burime përbrenda spitalit ka marrë vesh se i njëjti po trajtohet në Repartin e Neurologjisë në Spitalin e Mitrovicës “Dr.Sami Haxhibeqiri”. I njëjti, sipas burimeve, ka pësuar sulm në tru.

    Si rrjedhojë, ish-kryetari i PDK-së Veseli ka ardhë për ta vizituar babain në Mitrovicë nga Haga, ku po mbahej në paraburgim si i dyshuar për krime lufte.

    Në një përgjigje me shkrim, zëdhënësja e Speciales, Angiela Griep se për shkak të arsyeve bindëse humanitare, gjyqtari i procedurës paraprake ka udhëzuar Zyrën e Regjistrimit që të menaxhojë vizitën e Veselit në Kosovë.

    “Për shkak të arsyeve bindëse humanitare, gjyqtari i procedurës paraprake ka udhëzuar Zyrën e Regjistrimit që të menaxhojë një vizitë kujdestarie në Kosovë për të takuar familjen e ngushtë”. I akuzuari mbetet në paraburgim të Dhomave të Specializuara. EULEX dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Speciales për Reporteri.net.

    Në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, u arrestuan dhe u dërguan në Hagë katër ish-udhëheqësit politikë e ushtarakë të UÇK-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-ministri i qeverisë së përkohshme, Rexhep Selimi.

    Më 4 nëntor, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi u arrestua dhe u dërgua për në paraburgimin e Speciales. Për në të njëjtin destinacion, me një avion ushtarak, të nesërmen u nisën edhe ish-bashkëpunëtorët e tij në luftë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

    Arrestimet erdhën pasi një gjyqtar i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale, kishte konfirmuar aktakuzat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!