×
  • Lajme
  • Lajme

    Kadri Veseli zëvendësohet me Fadil Nurën, por Rexhep Selimi nuk e lëshon ulësen e deputetit në Kuvend

    Reporteri
    27 Nëntor 2020 | 14:56

    Ish-kryetari dhe ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, është zëvendësuar në Kuvend me kandidatin tjetër për deputet nga kjo parti, Fadil Nura.


    Nura e ka zënë pozitën e Veselit për shkak të dorëheqjes së këtij të fundit, pas konfirmimit të aktakuzës nga Dhomat e Specializuara në Hagë, shkruan Reporteri.net.

    Por njëjtë nuk ka vepruar edhe Lëvizja Vetëvendosje.

    Ata besojnë se shefi i Grupit Parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi, shumë shpejt do të kthehet në Kuvendin e Kosovës.

    Kujtojmë se më 24 prill 2020, Prokuroria e Specializuar në Hagë kishte paraqitur një aktakuzë për shqyrtim në Dhomat e Specializuara të Kosovës kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, si dhe disa personave “të tjerë”, emrat e të cilëve prokuroria fillimisht nuk ka dashur t’i publikojë.

    Në aktakuzë thuhej se ata ngarkohen me “disa krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasje, zhdukje me forcë, persekutim dhe tortura”.

    Aktakuza pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuarit e tjerë janë penalisht përgjegjës për gati 100 vrasje.

    “Viktimat e krimeve në aktakuzë janë qindra njerëz, identiteti i të cilëve është i njohur dhe në mesin e të cilëve ka shqiptarë të Kosovës, serbë, romë dhe njerëz të kombësive të tjera, si dhe kundërshtarë politikë”, ishte thënë në deklaratë.

    Konfirmimi i aktakuzës ndaj Veselit, pason arrestimin e ish-zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi.

    Ndërsa më 4 nëntor, Dhomat e Specializuara në Hagë kanë konfirmuar aktakuzën edhe kundër shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar kreu arrestimin e parë në Kosovë në muajin shtator.

    Më 24 shtator, Salih Mustafa, ish-epror i UÇK-së për Zonën e Llapit, u arrestua në shtëpinë e tij në periferi të Prishtinës.

    Përpos Thaçit, Veselit, Selimit, Krasniqit e Mustafës, Në paraburgim, si të dyshuar nga Gjykata Speciale ndodhen edhe dy udhëheqës të organizatës së veteranëve të UÇK-së: Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

    Prokuroria e Specializuar në Hagë heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000. Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar i kishte paraqitur aktakuzat e para në muajin shkurt të këtij viti dhe pastaj edhe një në muajin prill. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!