×
  • Lajme
  • Lajme

    “Kam ardhur në ora 6, jam i sëmurë” – qytetarët të frustruar me grevën në QKUK

    Reporteri
    13 Dhjetor 2019 | 10:28

    Shumë pacientë mëngjesin e sotëm janë kthyer mbrapa nga QKUK pasi qysh në orën 07:00 të mëngjesit ka filluar greva tetë orëshe në të gjitha Klinikat Universitare, përjashtim të rasteve emergjente.


    Qytetarët që ia kishin mësyrë QKUK-së mëngjesin e sotëm për KosovaPress u shprehën të mllefosur me gjendjen, ndërsa fajësojnë institucionet e vendit, por dhe vet mjekët. Ndërsa sindikalistët arsyetojnë këtë grevë.

    Me qëllim që të kontrollohet në Ambulacën Specialistike, prej komunës së Malishevës kishte ardhur Halim Beqiraj, por që i duhet të kthehet për në shtëpi, pasi askush nuk i kishte ofruar shërbim. Ai për këtë shprehet i indinjuar me gjithë personelin mjekësor, ku adreson kritika dhe akuza karshi tyre.

    “Unë kam ardhur prej komunës së Malishevës, jam nis në gjashtë ora atje. Kam ardhur, tash po duhet me u kthye prapë, 75 vjet. Jam i sëmurë me ceva, vjen këtu badihava. Dalin sikur sorrat e larme në kafe, doktorët kur duan vijnë kurdo s’vijnë hiç. Askush nuk i kontrollon…gjynah me iu dhanë pare, jo greva po duhet me ‘stupc’ për me i qitë prej këtu krejt, asnjë nuk duhet me i lanë këtu. Sikur me qenë privati vijnë këtu dhe për pacientë nuk ia ndin hiç”, tha ai.

    E Hamit Sekiraqa që kishte ardhur bashkë me bashkëshorten për t’ia larguar gipsin që e kishte mbajtur rreth një muaj thotë se kjo gjendje nuk është e mirë për asnjërën palë.

    “E ka që një muaj dorën në gips për sot ka pas me largu. Sot nuk po bohet, tash deri sot 1 javë nuk punon ai mjek. Tash qysh me majtë gipsin”, tha ai.

    Ndërsa pacientja tjetër, Sanije Hyseni kërkon që rasteve më të ndërlikuara t’iu dilet në ndihmë.

    “Ka pacientë që vijnë prej vendeve të ndryshime, duhet me iu dal dikush në ndihmë. Rezervë duhet me lanë, nuk është e thane të gjithë të punojnë, ose të lajmërohen një ditë më herët që mos të udhëtojnë”, tha ajo.

    Ndërkaq, Durrësim Gashi që kishte ardhur nga Ferizaj thotë se kjo grevë nuk është e drejtë për qytetarët.

    “Po thonë kena grevë…nuk e di po thonë të trtegojmë, ju thërrasim”, tha ai.

    Ndërkaq, nënkryetari i Federata Sindikale e Shëndetësisë, Xhemajl Selmani për KosovaPress thotë se gjendja në shëndetësi është alarmante, teksa i fajëson e gjithë klasën politike për gjendjen e krijuar.

    Vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullim të Ligjit për Paga e cilëson si të motivuar politikisht dhe thotë se të hënën do të takojnë mjekët e të gjithave klinikave për të marrë vendim për të ardhmen.

    “Greva është duke vazhduar duke u mbajtur dhe është grevë e cila nuk e cenon pacientin i cili është në sistem dhe ai që mund të hyjë urgjentisht në sistem. Por është grevë që realisht nuk i jep shërbime pacientëve që mund të presin…e dina që është e vështirë, por janë vendime të rënda. Cilido qoftë verdikti që e marrim prej këtyre takimeve do ta zbatojmë si organizatë sindikale”, u shpreh ai.

    Greva erdhi si pasojë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese ku pezullon deri në muajin mars Ligjin për Paga, teksa sot greva dy orëshe përveç në QKUK janë mbajtur edhe në sistemin arsimor.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!