×
  • Lajme
  • Lajme

    Kandidatja e VV-së për deputete mburret se dogji flamurin e Kosovës, sulmon mediat

    Reporteri
    18 Shtator 2019 | 14:36

    Kandidatja e VV-së për deputete, Mimoza Shala ka reaguar pas publikimit në “Reporteri.net” të një fotografie të saj, ku shihet bashkë me dy aktivistë të VV-së në Gjakovë, duke djegur flamurin e Kosovës, në vitin 2012. 


    Duke arsyetuar veprimin e saj, ajo pretendon se çka bënë bashkë me aktivistët tjerë që shihen në fotografi, para më shumë se shtatë vitesh “është mënyra e njohur e shprehjes së pakënaqësisë, prej SHBA-ve, e Skandinavisë, e gjer në Australi”.

    Shala, reagimin e saj në facebook, e nis me sulm të ulët ndaj medias që publikoi fotografinë e cila ishte publikuar në rrjete sociale në vitin 2012, nga vetë personat që shihen në fotografi.

    Gazeta Online “Reporteri.net” ka publikuar të martën, fotografinë në fjalë, e shkrepur në vitin 2012, një natë para se të festohej përvjetori i pavarësisë së Kosovës.

    Në të shihet kandidatja e VV-së për deputete, Mimoza Shala dhe dy aktivistë tjerë nga Gjakova, të kësaj partie teksa manifestojnë djegien e flamurit të shtetit të Kosovës.

    Kandidatja e Vetëvendosjes për deputete që 17 Shkurtin e shënonte duke djegur flamurin e Kosovës

    Ky është reagimi i plotë i Mimoza Shalës: 

    Një portal i afërt me PDK më paska damkosur dje se gjoja nuk e dashkam Kosoven, pse kam protestuar në mjedise kur janë djegur simbole të shtetit.

    Unë e pranoj që kam manifestuar shpesh kundër kapjes së shtetit. Kundër kapjes nga ndërkombëtarë, kur na përcaktonin simbolet si indigjeneve dikur në Afrikë. Kundër kapjes nga Kisha Ortodokse Serbe, kur na teshin me demagogji. E kundër kapjes nga mafia jonë, që na le pa të ardhme.

    Gjatë këtyre manifestimeve mund të ketë patur edhe protesta spontane kundër emblemash të ndryshme, që janë parë si derivate të korrupsionit. Qoftë nga ndërkombëtarë, nga Serbia, a nga shteti ynë i kapur. Kjo është mënyra e njohur e shprehjes së pakënaqësisë, prej SHBA-ve, e Skandinavisë, e gjer në Australi. Unë për vete mundohem të kuptoj e të luftoj arsyet e pakënaqësive.

    Unë dua shtet, por jo çdo lloj shteti. Një shoqëri ku qytetarët duhet t’i sherbejnë shtetit quhet diktaturë. Demokraci quhet kur shteti u shërben qytetarëve. Nëse shteti cënon kundërligjshëm liritë e qytetarëve, është obligim moral i qytetarit që të shprehë pakënaqësi. Them se ky në fakt është vete thelbi i demokracisë.

    Kundershtarët e mi mund të thonë se ky qëndrim më diskualifikon nga politika. Por mua vjen keq pse ata janë kaq analfabetë. Unë për vete them se mu ky qëndrim, e gatishmëria ime që të jetoj ashtu si mësoj, më bën të denjë për parlament.

    Nga politika do diskualifikuar demagogët dhe mafiozët: ata qe kanë kapur shtetin tonë. Ky është qëndrimi im. Por fjalën e fundit le ta kenë bashkëqytetarët e mi. Këta do të vendosin se kë duan më fort në parlament. Dhe unë do t’i besoj verdiktit të tyre, por u premtoj një gjë. Unë do të mbetem vetvetja, pavarësisht se a do te ulem në parlament a jo.

    Jam kjo që jam. Kështu jam gatuar, kështu di ta dua unë Kosovën. Pa hile, pa dredha, pa kompromise. Dhe s’e kam hiç ndërmend të ndryshoj për të tjerë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!