×
  • Lajme
  • Lajme

    Katër ‘betejat politike’ në Gjykatën Kushtetuese – në të gjitha direkt dhe indirekt pjesëmarrës Hashim Thaçi

    Reporteri
    31 Mars 2020 | 20:10

    Beteja në Gjykatën Kushtetuese mes Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti përfundoi me fitoren e të parit.


    Thaçi e çoi në kushtetuese një vendim të Qeverisë për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve, shkak i pandemisë COVID19.

    Ai konsideronte se kjo duhet të bëhej vetëm në rastet kur me propozim të presidentit, e me vendim të Kuvendit të Kosovës shpallet gjendje e jashtëzakonshme. Por Kurti nuk mendonte se duhet shpalle gjendje e jashtëzakonshme. Bile e shkarkoi një ministër të fortë të LDK-së, Agim Veliun veç pse pajtohej me presidentin. E pas shkarkimit të tij, i shkoi edhe Qeveria e tash edhe një vendim që e qet Qeverinë e tij me vendime kundër kushtetutës.

    Por, kjo nuk është beteja e parë politike që ka kaluar edhe nëpër filtrat e Kushtetutës, shkruan Reporteri. Në të gjitha prej tyre i përfshirë ka qenë indirekt apo direkt pjesë edhe Hashim Thaçi.

    Rasti Sejdiu

    E para ishte në vitin 2010. Atë kohë, dy deputetë, Driton Tali e Naim Rrustemaj e nisen një betejë në kushtetuese.

    Presidenti Fatmir Sejdiu po mbante të ngrirë edhe pozitën e Kryetarit të LDK-së. Për deputetët, kjo ishte shkelje e Kushtetutës. Dhe kështu tha në atë kohë edhe Gjykata e që çoi në rrëzimin e Sejdiut dhe më pas edhe shkuarjen në zgjedhje.

    Rasti Pacolli

    Menjëherë pas zgjedhjeve, një Qeveri e re PDK-AKR po vinte. Behgjet Pacolli realizoi ëndrrën e tij për t’u bërë president. Por i zgjati vetëm një muaj. Sepse, Gjykata kushtetuese e rrezoi procedurën e zgjedhjes së tij duke e vlerësuar si anti-kushtetuese. Kjo nuk çoi në zgjedhje të reja por solli një presidente konsensuale, Atifete Jahjagen.

    Rasti VLAN -PDK

    Në kohën e Jahjahges si presidente, pati një betejë të madhe kushtetuese e politike. Në zgjedhjet e vitit 2014, PDK fitoi por askush nuk dëshironte të hynte në koalicion me ta. Koalicioni mes LDK-së, VV-së, AAK-së dhe Nismës pretendonin se janë shumica dhe ata kanë të drejtë formimin e Qeverisë dhe institucioneve tjera. E zgjodhi Isa Mustafën si Kryetar të Kuvendit. PDK adresoi çështjen në Gjykatë Kushtetuese e cila tha se i takon fituesit të zgjedhjeve të propozojë Kryetarin e Kuvendit dhe të ketë mandatin e parë për ta provuar formimin e Qeverisë. Kjo e prishi koalicionin VLAN dhe e formoi koalicionin PDK-LDK me kryeministër Isa Mustafën.

    Në të gjitha rastet, Gjykata Kushtetuese është sulmuar si e anshme nga palët që nuk i fitonin rastet. Megjithatë, ky institucion mbetet nga më të besuarat në vend dhe me vlerësimet më të larta edhe ndërkombëtare. /Reporteri

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!