×
  • Lajme
  • Lajme

    KEK-u me mungesë të punëtorëve, në 4 vjet pensionohen 1 mijë punëtorë

    Reporteri
    28 Nëntor 2020 | 23:23

    Situata me pandeminë e ka vështirësuar punën në Korporatën Energjetike të Kosovës. Infektimet e stafit me këtë virus dhe lirimi nga puna i punëtorëve me sëmundje kronike e kanë vënë në pah mungesën e punëtorëve në këtë kompani.


    Mbi 170 punëtorë aktualisht nuk janë në vendet e tyre të punës shkaku i masave. Prej tyre 71 aktualisht janë të infektuar me këtë virus, 21 në izolim dhe 80 të liruar nga puna, shkaku i sëmundjeve kronike, transmeton KOHA.

    “Kemi diku mbi 1.100 punëtorë më pak se sa që duhet, në bazë të skemës organizative të vitit 2016 dhe në këtë kohë pandemie faktikisht është një numër i konsiderueshëm që janë të liruar nga sëmundjet kronike dhe po kemi vështirësi të mëdha. Punëtorët po duhet të punojnë edhe jashtë orarit për shkak se kemi mungesa të mëdha”, ka thënë Nexhat Llumnica, nënkryetar i Sindikatës së re të Punëtorëve të KEK-ut.

    Në këtë ndërmarrje mosha mesatare e punëtorëve është rreth 55 vjet. Shkaku i kësaj brenda 4 vjetëve pritet që të pensionohen mbi 1 mijë punëtorë.

    Megjithatë në KEK, edhe pse thonë se kanë mungesë të punëtorëve, nuk kanë ende të dhëna se sa është numri i nevojshëm i tyre.

    “KEK ka një mungesë të stafi në krahasim me skemën organizative, mirëpo ajo skemë organizative është që nga viti 2013, është një skemë e vjetër dhe KEK-u aktualisht ka kontraktuar një kompani ndërkombëtare, e cila është duke bërë rishikimin funksional të gjithë Korporatës Energjetike të Kosovës, e cila do të vijë me një numër të saktë se sa ka nevojë KEK-u për punëtorë”, ka deklaruar Skënder Bucolli, zëdhënës i KEK-ut.

    Rreth dy muaj më parë KEK-u kishte shpallur konkurs për 170 punëtorë, por ai është pezulluar me rekomandim të aksionarit.

    Si ka bërë të ditur Korporata Energjetike e Kosovës, pritet që në vazhdim të merret një vendim nëse do të vazhdohet apo do të anulohet ky konkurs.

    Sipas skemës aktuale, mungesë më të madhe të punëtorëve ka në divizionin e prodhimit të qymyrit. Në këtë divizion janë rreth 840 vende të punës të paplotësuara.

    Në divizionin e “Kosovës B” ndërkaq janë rreth 100 vende të paplotësuara, ndërsa në divizionin e “Kosovës A” mbi 200 vende.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!