×
  • Lajme
  • Lajme / Veriu

    Kërkesat e Vuçiqit vlerësohen absurde, Kosova kërkon reagimin e ndërkombëtarëve

    Reporteri
    14 Shtator 2024 | 20:09

    Para gati dy vjetësh, me urdhër të presidentit të Serbisë, serbët ishin dorëhequr nga institucionet e Kosovës.

    Por një ditë më parë, vet Aleksandar Vuçiq kërkoi vet kthimin e tyre në pozitat që mbanin.

    E, këtë paraqitje të Vuçiqit, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla e ka quajtur skenë teatrale.

    Ajo ka kërkuar të shtunën nga Perëndimi që të reagojnë ndaj retorikës së tij armiqësore.

    “Faktorëve ndërkombëtarë u bëjmë thirrje të dënojnë me gjuhë të qartë dhe qëndrime të vendosura qasjen, sjelljen dhe gjuhën agresive dhe armiqësore të Aleksandër Vuçiçit karshi Republikës së Kosovës”, ka thënë Donika Gërvalla, Ministre e Jashtme e Kosovës.

    Ndër të tjera, Vuçiq kërkoi gjithashtu edhe krijimin e një Prokurorie të veçantë, e cila sipas tij, do të bënte “ndjekjen e abuzimeve dhe shkeljeve të të drejtave themelore të njeriut, uzurpimin e pronës dhe rrezikimin e integritetit trupor” të serbëve.

    Por, në sytë e njohësve të zhvillimeve politike në Kosovë, kjo po konsiderohet absurde.

    “Kjo është absurditet sepse askund në botë nuk lejohet që një shtet të formojë institucione brenda një shteti tjetër, ndërsa këto kërkesat e tjera për kthimin në institucione, mbajtjen e zgjedhjeve dëshmojnë se politika e tij ka qenë katastrofale kur iu kanë thënë serbëve të dalin nga institucionet dhe në këtë aspekt, unë besoj që ky është një tjetër dështim i politikës serbe, normalisht në dëm të serbëve të Kosovës”, është shprehur Milazim Krasniqi, Profesor universitar.

    Sipas Krasniqit, zgjidhja më e mirë për ekzekutivin kosovar mbetet thirrja për kthim te marrëveshja e Brukselit për integrimin e serbëve.

    “Qeveria jonë do duhej mobilizuar shumë për ta kthyer debatin te pika e marrëveshjes së Brukselit dhe për të nisur një proces të integrimit të serbëve brenda institucioneve, ajo nuk mund të vihet në kontekst sepse është e nënshkruar nga dy palët dhe në këtë aspekt, ka hapësirë manovruese për Qeverinë e Kosovës”, ka thënë Krasniqi.

    Ndër kërkesat e Vuçiqit ishte edhe largimi i Policisë së Kosovës nga veriu dhe kthimi i serbëve në drejtorinë rajonale të këtij institucioni.

    Por nga njohës të sigurisë, kjo po vlerësohet e papranueshme.

    “Vet fakti që punonjësit e policisë, gjyqtarët, prokurorët, kryetarët e komunave kanë qenë në funksion, nuk është e pamundur në aspektin ligjor kushtetues që të kthehen por këta janë larguar me direktiva e kërcënime të Vuçiqit. Në këtë kuptim është e papranueshme në momente të caktuara që Vuçiq i bie pishman ose ka politika të caktuara që Kosova t’i përgjigjet direktivave të një shteti fqinj. Ka një rend, ka rregull të gjërave. Ne jemi shtet sovran. Nuk mund të luajmë me agjendat e një shteti e aq më pak me një shtet luftënxitës”, ka thënë Valdet Hoxha, njohës i sigurisë.

    Krahas kërkesave, Vuçiq ka paralajmëruar se Beogradi do të nisë një “fushatë diplomatike globale”, ashtu që të plotësohen këto kërkesa.

    Pak minuta para se ai t’i bënte publike kërkesat e tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Vuçiq në koordinim me Rusinë, mbi varrezat masive me trupat e shqiptarëve, po përgatit kërcënime dhe ultimatume të reja ndaj Kosovës.

    Por, Kurti deklaroi se Kosova është më e fortë se kurrë më parë dhe se nuk trembet nga kërcënimet./Dukagjini

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!