×
  • Lajme
  • Lajme

    Kërkohet ashpërsim i dënimit për Shaban Gogajn, i dënuar me 7 vite e gjysmë për vrasjen e Agonis Tetajt

    Reporteri
    23 Mars 2023 | 13:46

    Përfaqësuesi i autorizuar i familjes së të ndjerit Agonis Tetaj, avokat Berat Tmava, të enjten ka kërkuar nga Gjykata e Apelit ashpërsim të dënimit ndaj Shaban Gogaj, i cili është dënuar për vrasjen e Tetaj, ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Gogajt, avokat Besnik Berisha propozoi zbutje të dënimit.

    Avokati Tmava po ashtu në ankesën e tij ka propozuar që aktgjykimi i shkallës së parë të anulohet dhe çështje të kthehet në rishqyrtim dhe rivendosje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Në anën tjetër, mbrojtësi i të dënuarit Gogaj, avokati Berisha ka propozuar që aktgjykimi i shkallës së parë të ndryshohet dhe ndaj të mbrojturit të tij të shqiptohet një dënim më i butë, ngase sipas tij, dënimi është maksimal.

    Ndërkaq, Prokuroria Themelore në Gjilan me parashtresë ka propozuar që aktgjykimi i shkallës së parë të anulohet dhe çështja të kthehet në rishqyrtim dhe rivendosje ose aktgjykimi të ndryshohet.

    Ndryshe, më 14 tetor 2022, Gogaj ishtë shpallur fajtor dhe ishte dënuar me 7 vite e 6 muaj burgim, për vrasjen nga pakujdesia të Agonis Tetaj, në shtator të vitit 2018 në Deçan.

    Në seancën e sotme këto ankesa janë shqyrtuar nga kolegji në përbërje të gjyqtarëve Beqir Kalludra, Hashim Collaku dhe Kadrie Goga-Lubishtani.

    Avokati Tmava ka thënë se Gogaj duhet të shpallët fajtorë për veprën penale “Vrasje e rëndë”, pasi që sipas tij, deri te ndryshimi i veprës penale kishte ardhur nga ndikimet nga jashtë.

    “Që nga momenti kur ka ndodhur vrasja ka pasur shumë ndikime nga persona të ndryshëm që kësaj çështje penale t’i ipet konutacion tjetër dhe vrasja e Agonisit të mos cilësohet ashtu siç e ka përcaktuar aktakuza por të cilësohet si vrasje aksidentale me të vetmen arsye që gjykata të vjen në përfundim që të akuzuarin ta shpall fajtor sipas dëshirës së të akuzuarit dhe personave që i kanë ndihmuar dhe jo sipas provave që gjinden në shkresat e lëndës dhe përfundimi i gjykimit të jetë pikërisht në kundërshtim me gjendjen faktike e që ndërlidhet edhe me vendimin lidhur me sanksionin penal që i njëjti të jetë sa më i butë për të akuzuarin e parë Shaban Gogaj”, thuhet në ankesën e avokatit Tmava.

    Tutje, sipas tij, në gjykimin ndaj Gogaj ka pasur ndërhyrje të shumta nga njerëz të pa ndërgjegjshëm.

    “Konsiderojmë se ky rast do të kthehet në rigjykim për shkak të shkeljeve të shumta. Ju kisha lut se nëse ky rast kthehet në rigjykim, mos të gjykohet në Gjykatën Themelore në Pejë, sepse e dimë që atje ka pasur ndikim dhe do të ketë ndikim, na lypim vetëm drejtësi për Agonisin dhe asgjë më tepër”, ka thënë ai.

    Tutje, Tmava ka shtuar se me aktgjykimin e shkallës së parë familja Tetaj është thyer shpirtërisht dhe janë fyer skajshmërisht, pasi që sipas tij ky aktgjykim ka krijuar pasiguri juridike tek populli i Kosovës në përgjithësi.

    Ndërkaq, avokati Berisha ka propozuar që ndaj të mbrojturit të tij të ndryshohet aktgjykimi i shkallës së parë, ashtu që të shqiptohet një dënim më i butë.

    Sipas Berishes, Gogaj është dënuar maksimalisht dhe atë vetëm për veprën penale të armëmbajtjes pa leje është dënuar me 3 vite burgim, e që sipas tij, dënimi për këtë vepër nuk mund t’i kaloj 2/3 e dënimit për vrasje nga pakujdesia.

    Ai ka shtuar se Isuf Cacaj, i cili kishte pranuar fajësinë për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, armë kjo me të cilën ishte kryer vrasja, ishte dënuar me 2000 euro gjobë, ndërsa i dënuari Gogaj vetëm për përdorim një sekondë të armës është dënuar me 3 vite burgim.

    Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 12 qershor 2019, Shaban Gogaj akuzohej se më 23 shtator 2018, rreth orës 11:04, në Deçan, në rrugën “Luan Haradinaj”, përkatësisht në kompaninë “Gogaj AG”, me dashje e privon nga jeta Agonis Tetaj dhe me këtë ka vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarve Agzon Hadërgjonaj dhe Faruk Zukaj.

    Sipas aktakuzës, pasi i pandehuri merr një telefonatë nga e cila bisedë shihet se është dukshëm i acaruar dhe posa e përfundon këtë bisedë, i pandehuri nga karrigia e anës së majtë të banakut kalon në një tjetër që gjendej në mes të banakut, lakohet dhe nxjerr nga sirtari i fundit në anën e djathtë të tij revolen e tipi “Beretta”, vendos karikatorin dhe e repeton të njëjtën, e merr në shenjë tani të ndjerin Tetaj.

    Në aktakuzë thuhet se tani ndjeri në ato momente ishte në mes të dy dëmtuarve tjerë dhe i pandehuri qëllon një herë në drejtim të tij dhe e kthen armën ku e kishte marr, më pas menjëherë çohet nga karrigia, me ç’rast për pasojë i dëmtuari merr plagë në kokë, ku si rrjedhojë pëson vdekje të menjëhershme.

    Në këtë rast, për armëmbajtje pa leje akuzohet edhe Isuf Cacaj, ku sipas aktakuzës, më 23 shtator 2019, rreth orës 14:50 në Deçan, në shitoren “Gogaj AG”, ka mbajt në pronësi armë dhe atë pistoletën e tipit “Bloë TR 92”, e kalibrit 9mm, e gjetur nga policia në sirtarët nën banakun e arkës.

    Kurse, sipas aktakuzës që ishte ricilësuar më 16 mars 2021, nga prokurori Agon Uka, Shaban Gogaj akuzohej se më 23 shtator 2018, rreth orës 11:05:31, në Deçan, në rrugën “Luan Haradinaj”, në kompaninë “Gogaj Ag”, nga pakujdesia i pandehuri Gogaj, e privon të ndjerin nga jeta, Agonis Tetaj.

    Sipas ricilësimit, gjersa i pandehuri ishte duke komunikuar në telefon me Natyra Melaj, vajzën e hallës rreth shkuarjes së tij në bjeshkë, duke e porosit që të merrte gjësende ushqimore, posa e përfundon këtë bisedë, e lëshon telefonin në tavolinë, nga karrika në skajin e majtë të banakut ku ishte ulur, kalon në karriken tjetër që gjendet në mes të banakut, lakohet duke shikuar në anën e djathtë kah dritaret në drejtim të rrugës dhe nxjerr nga sirtari i tretë i anës së djathtë, revolen e llojit “Beretta”, Model 92 FS, e vendos karikatorin në armë, e reperton të njëjtën dhe shkrep një herë në drejtim të, Asgan Hadërgjonaj, Agonis Tetaj e Faruk Zukaj, të cilët kanë qenë në distancë rreth 70 cm në mes vete, ndërsa në raport me të pandehurin distance ka qenë 4-5 metra,

    Nga kjo shkrepje, sipas prokurorit Uka, goditet tani i ndjeri Agonis Tetaj në mollëzën e djathtë të fytyrës, e pas këtij veprimi i akuzuari kthen armën ku e ka marrë duke e kap kokën me dy duart, duke menduar se ka shkrep me armën me gaz, për të cilën paraprakisht e ka njoftuar xhaxhi i tij, Isuf Cacaj, se arma me gaz ndodhet aty.

    Sipas aktakuzës që ishte ricilësuar nga prokurori Uka, i akuzuari këtë veprim nuk e ka dëshiruar as pasojën e shkaktuar, përkatësisht pasoja shkaktohet kundër vullnetit të tij, si rezultat i moskujdesit apo indiferencës apo jo seriozitetit të tij, ashtu që përkundër përpjekjeve për ofrimin e ndihmës, tani të ndjerit Agonis, i njëjti nuk ka mundur t’i mbijetojë plagës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!