×
  • Lajme
  • Lajme

    Kërkohet hetim ndërkombëtar, Prokuroria nuk jep detaje rreth helmimit të zyrtarëve të KQZ-së

    Reporteri
    14 Tetor 2019 | 16:01

    Rreth 11 zyrtarë të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), janë duke u trajtuar në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës, të cilët dyshohet të jenë helmuar pas kontaktit me votat që kanë ardhur nga Serbia.


    Autoritetet kompetente ende nuk kanë bërë të ditur se për çfarë lloj alergjie bëhet fjalë, ndërkohë që janë duke u pritur edhe rezultatet e analizave.

    Në anën tjetër, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë ditë së sotme është takuar me kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka, Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi dhe Drejtorin e AKI-së, Shpend Maxhuni, të cilët e kanë informuar për rezultatet e hetimeve rreth raporteve për helmim të punëtorëve të KQZ-së, të cilët kishin kontakt me zarfet e ardhur prej jashtë Kosovës në objektin e shërbimit të votuesve, ku ishin të vendosura votat e diasporës.

    “Kërkoj nga institucionet shtetërore që me profesionalizëm të hetohet tërë rasti dhe të ndërmerren të gjithë hapat e nevojshëm për të zbardhur dyshimet për helmim të personelit të KQZ-së”, ka thënë presidenti Thaçi.

    Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës janë duke kryer ekzaminimet e nevojshme, për të zbuluar detajet, se si ndodhi rasti.

    Ekrem Lutfiu, zëdhënës i Prokurorisë së Shtetit, tha për lajmi.net se hetimet kanë filluar dhe momentalisht nuk mund të japin detaje shtesë.

    “Për momentin Prokuroria nuk mund të deklarohet lidhur me këtë çështje. Në momentin që ka dalë Prokurori në vendin e ngjarjes hetimet kanë filluar”, ka thënë Lutfiu

    Ndërsa, Drejtoresha e Klinikës së Infektives, Lindita Ajazaj-Berisha, në një konferencë për media, ka thënë se gjendja shëndetësore e zyrtarëve të KQZ-së është e mirë.

    Ajo ka treguar edhe simptomat të cilat i kanë.

    “Në klinikë janë të hospitalizuar 11 pacientë gjendja është stabile. Disa prej tyre kanë pas mundim, vjellje, skuqje të lëkurës. Për momentin nuk mundemi me dhënë diagnozën e saktë, pacientët duhet të qëndrojnë në klinikë”, ka thënë ajo.

    Përfaqësuesit e institucioneve shtetërore njoftuan se pritet të përfundohet ekzaminimi i mostrave të zarfeve të marra në Shërbimin e Votuesve.

    Ekzaminimet, sipas tyre, do të bëhen së bashku me ekspertë ndërkombëtarë.

    Të dielën, 11 persona kërkuan ndihmë mjekësore, pasi teksa ishin duke verifikuar zarfet e votave të ardhura nga Serbia, në duart dhe fytyrën e tyre, u shfaqën shenja të një lloj alergjie.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!