×
  • Lajme
  • Lajme

    Këshilli i ‘kolegjeve private’ po kërkon koeficientin sipas shkollimit për infermierët

    Reporteri
    15 Tetor 2019 | 21:26

    Një këshill nacional i infermierëve i themeluar nga Oda e Infermierëve ku dominohet me anëtarë të kolegjeve private AAB, Heimerer, Rezonanca, po kërkon që koeficienti i infermierëve të përcaktohet sipas gradës së shkollimit. Ky propozim po kundërshtohet nga sindikalistët të cilët po dyshojnë se lidhet me interesa të ngushta. Oda e Infermierëve nuk flasin nëse ky propozim është presion mbi infermierët me shkollë të mesme për të regjistruar fakultetet në kolegjet private

    Oda e Infermierëve të Kosovës ka themeluar një Këshill Nacional të Infermierisë i cili kryesohet dhe dominohet nga anëtarë që janë drejtues ose ligjërojnë në kolegjet private të cilat kanë edhe degën e infermierisë. Kryesuese e këshillit është bërë Natyra Karahoda e cila është rektore e kolegjit “Heimerer”, ndërsa anëtarët tjerë janë Idriz Sopjani-dekan i Infermierisë në kolegjin AAB, dhe kryetari i Odës së Infermierëve të Kosovës Naser Rrustemaj i cili deri më tani ka qenë asistent ndërsa tani figuron si ligjërues në Kolegjin AAB, shkruan Gazeta Shneta.

    OMK dhe KOMS kanë një njoftim për studentët e mjekësisë viti 5 dhe 6
    Anëtarë të tjerë të këtij këshilli janë edhe Hysni Bajrami- zyrtar i Ministrisë së Shëndetësisë dhe OIK-ut dhe ligjërues në kolegjin AAB, Lirije Beqiri-zyrtare e QKUK-së, OIK-ut dhe ligjëruese në AAB, Fekrije Hasani-ligjëruese në kolegjin Rezonanca, Elvana Podvorica nga kolegji ‘Universi’, etj.

    Kjo lidhje e OIK-ut me kolegjet private po konsiderohet si bashkëpunim në kurriz të infermierëve e madje po akuzohen se po bashkëpunojnë për interesa të ngushta personale nga sindikalistët. Kjo për faktin se vendimi i parë që nxori ky këshill është propozimi që koeficienti për infermierët të përcaktohet sipas gradës së shkollimit.

    “Në takimin e parë të Këshillit Nacional Këshilldhënës të Infermierisë është kërkuar që të bëhet një diferencim sa i përket pagesës së infermierëve, sipas profilit të tyre të shkollimit”, thuhet në njoftimin e Odës së Infermierëve. “Kryetari i Odës së Infermierëve të Kosovës Naser Rrustemaj ka thënë se gjitha propozimet që do të jepen nga ky këshill do të dërgohen në organet e OIK që komitetit infermieror t’i dilet në ndihmë”, thuhet tutje.

    Por kjo kërkesë e këtij këshilli të porsa themeluar po kundërshtohet ashpër nga sindikalistët e infermierisë. Sindikata e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë shëndetësor e ka quajtur madje si mashtrim dhe manipulim për interesa të ngushta personale.

    “Këshillojmë infermierët, mamitë dhe profesionistët tjerë shëndetësor që mos të bien pre e dezinformatave, manipulimeve dhe mashtrimeve dhe interesave personale të individëve të caktuar, meqë kemi vërejtë disa tentativa kohën e fundit”, thuhet në reagimin e sindikalistëve të infermierisë. Ata kanë theksuar se kërkesa e infermierëve është që koeficienti të vendoset 3.2 për të gjitha kategoritë pa dallim.

    Gazeta ka kërkuar sqarime nga Oda e Infermierëve të Kosovës në lidhje me qëllimin e themelimit të këtij Këshillit, si dhe për akuzat e sindikalistëve për interesat personale, por OIK nuk ka kthyer përgjigje. Oda nuk ka mohuar e as pohuar nëse ky propozim i këtij këshilli me anëtarë të kolegjeve private është presion mbi infermierët me shkollë të mesme për të regjistruar fakultetet e infermierisë.

    Gazeta ka marr vesh se ky propozim do të vazhdojë të kundërshtohet ashpër nga ana e sindikalistëve.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!