×
  • Lajme
  • Lajme

    Këshilltari i Thaçit i thotë Kurtit se situata me koronavirus në veri ka dalë jashtë kontrollit

    Reporteri
    31 Mars 2020 | 13:57

    Katër raste me koronavirus janë regjistruar tek serbët e Kosovë,  ndër to tri raste në veri të Mitrovicës. 


    Për keqmenaxhim me situatën me koronavirus në veri, Këshilltari i presidentit, Hashim Thaçi, Adil Behramaj, ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, shkruan Reporteri.net.

    Madje ai thotë se situata në veri me  pandeminë COVID 19  ka dalë jashtë kontrollit menaxhues.

    Behramaj këto akuza i ka bërë në një postim në Facebook, ku ka thënë se Qeveria e ka për detyrë të sigurohet që masat e ndërmarra nga institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës të zbatohen në çdo cep të vendit.

    Postimi i tij i plotë:

    Komunat e veriut të Kosovës janë tërësisht jashtë kontrollit menaxhues të Qeverisë në dorëheqje për pandeminë COVID-19.

    Kryeministri në ikje e ka gojën plotë fjalë miradije për luftimin e pandemisë, por në komunat e veriut të Republikës së Kosovës nuk po zbatohen masat e Qeverisë sonë, por ato të Qeverisë së Serbisë. Ndërprerja e mësimit dhe ora policore në veriun e vendit kanë nisur me vendime të Qeverisë së Serbisë dhe jo me vendime të Qeverisë së Kosovës. Direktivat që po zbatohen në veri nga autoritetet dhe qytetarët e komunitetit serb, qoftë për distancë fizike, qoftë për kujdes shëndetësor, janë direktiva të Qeverisë së Serbisë.

    Menaxhimi i situatës me pandeminë duhet të shtrihet në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Qeveria e ka për detyrë të sigurohet që masat e ndërmarra nga institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës të zbatohen në çdo cep të vendit.

    Albin Kurti plot dy dekada sa ishte opozitë i ka akuzuar qeveritë e kaluara për shtrirje jo të plotë të autoritetit në komunat e veriut të vendit, ndërsa tash as që po flet për këtë situatë të ndjeshme, që kërkon direkt reagimin e tij.

    Dallimin ndërmjet qytetarëve të të gjitha komuniteteve në Kosovë, Qeveria e tij e ka bërë edhe në organizimin e platformës online për mësimin parauniversitar, duke përjashtuar tërësisht nxënësit serbë nga planprogramet arsimore të platformës digjitale.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!