×
  • Lajme
  • Lajme

    Këshilltari i Thaçit: Në letrat për ndërkombëtarët Kurti nuk i ka përmendur armiqtë e Kosovës

    Reporteri
    09 Maj 2020 | 17:08

    Kanë vazhduar reagimet ndaj letrave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili ditë më parë i kishte shkruar zëvendëspresidentit amerikan, Mike Pence.


    Artan Behrami, këshilltar politik i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në profilin e tij në Facebook ka akuzuar kryeministrin Kurti se në letrat e tij fare nuk është duke e përmendur armiqtë e Kosovës, Serbinë, Rusinë dhe Kinën.

    “Politika e Jashtme është interes nacional, është mishërim i politikës së Brendshme dhe reflektim i unitetit politik. Por, kryeministri i shkarkuar, Albin Kurti, atë e ka shndërruar në interes personal, në mishërim të ideologjisë dogmatike të Lëvizjes Vetëvendosje dhe në reflektim të përçarjes politike”, ka shkruar ai.

    Sipas tij, diplomacinë dhe politikën e Jashtme e ka reduktuar në disa kilometra katrorë, nga “Kafe Unioni” deri te “Papilloni”, duke e konvertuar atë në mekanizëm të thashethemeve.

    Kjo mendësi sipas Behramit, më së miri fiqirohet nëse e lexon përmbajtjen e letrave që Kurti ua dërgon kryeqyteteve të botës.

    “Në këto letra, Kurti amniston fushatën serbe për çnjohje dhe përpjekjet për destabilizim të rajonit nga Kina dhe Rusia. Përmbajtja e këtyre letrave përbën një skandal diplomatik, një precedent të rëndë dhe, për shumë përfaqësues të shteteve që i lexojnë ato, një paradoks, të cilin po e përjetojnë për herë të parë”, ka shkruar ai.

    Këshilltari i Thaçit ka thënë se që nga viti 2008, diplomatët janë mësuar të pranojnë ‘Position Papers’ për fuqizimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës, për mbështetje të fushatës për njohje, të mbështetjes ekonomike e politike, për forcimin e procesit të integrimeve dhe për të kundërshtuar politikën e Serbisë kundër Kosovës.

    “Ndërsa, letrat e Kurtit nuk përmbajnë asnjë rresht nga këto! Këto letra, të dërguara në mënyrë klandestine në kryeqytetet e botës bazohen në paranoja dhe flasin ekskluzivisht për armiqtë e brendshëm të Kurti, të cilët synojnë rrënimin dhe përmbysjen e tij! Pa ia kërkuar askush, Kurti në këto letra u rrëfehet liderëve botërorë sesi ai është zgjidhja e krejt problemeve, derisa kundërshtarët politikë janë problemi për të gjitha zgjidhjet!”, ka shkruar ai.

    Behrami ka shkruar se është hera e parë që një kryeministër nuk merret me politikën e Jashtme në komunikim ndërkombëtar, një kryeministër që nuk kërkon njohjen nga shtetet e as anëtarësime, bile as që e kundërshton kampanjën e Serbisë. Përkundrazi, në këto letra, Kurti udhëheq një kampanjë të dezinformimit për gjendjen në Kosovë dhe për oponentët politikë!”, ka shkruaj ai më tej.

    Në fund, Behrami i ka bërë thirrje kryeministrit Kurti që t’i bëjë publike të gjitha letrat për qytetarët e Kosovës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!