×
  • Lajme
  • Lajme

    “Kështu e deshti Zoti” – flet heroi i tragjedisë në Bullgari

    Reporteri
    04 Dhjetor 2021 | 23:17

    “Kështu e ka dashtë Zoti. Unë të jem ai i cili do të shpëtoj njerëz. E falënderoj Zotin që më dha edhe një jetë”, tha Lulzim Sulejmani.

    Kështu Lulzim Sulejmani e nisi bisedën me ekipin e TV21 gjatë vizitës sonë në Preshevë. Ai është heroi i cili nga zjarri ka arritur t’i nxjerrë udhëtarët e mbijetuar. Oferta e agjencisë “Besa Trans” ka qenë tërheqëse, prandaj ka vendosur të rezervojë një vend për veten dhe të fejuarën e tij.

    “Ekskursioni ishte shumë i mirë. Kishim edhe ciceron i cili na shëtiste kudo. Ishte shumë bukur. Edhe shoferët ishin të mirë. Ishin dy dhe rruga ishte shumë e mirë. Në të dy drejtimet kishim disa pauza. Në autobus silleshin mirë, na jepnin kafe, pije dhe ndalnim për pauzë”, theksoi Lulzim Sulejmani.

    Autobusi ishte i mirë, por nuk e dinin se nuk ka licencë.

    “Rruga nuk ishte e lodhshme. Nuk voziste shpejt. Normalist, sa duhet të lëvizet një autobus, 100. Edhe autobusi ishte i mirë, por për licencën nuk e di”, rrëfen Lulzim Sulejmani.

    Lulzim ende është në gjendje shoku. Siç rrëfen, nuk mund të flejë, kurse pamjet nga tragjedia vazhdimisht po rrotullojnë në kokën e tij. Një herë në javë viziton psikiatër në Spitalin e Vranjës.

    “Gjithçka po përsëritet në kokën time, 24 orë pasi… Sepse unë isha i zgjuar dhe pashë gjithçka nga tragjedia dhe tani gjithçka po kthehet në kokën time. Tani nuk mund të fle si më parë… Zgjohem, nuk mund të fle, vetëm 1-2 orë.. Kur zgjohem, pastaj nuk dua të fle më… Nuk është siç ka qenë”, pohoi Lulzim Sulejmani.

    Por, detaji i vogël të cilin e ka vërejtur Lulzimi gjatë hyrjes në autobus, ka shpëtuar disa persona.

    “Unë isha i zgjuar, por para kësaj, kur shëtisnim në Turqi, vërejta ku ishte çekiçi. Pastaj, kur ndodhi katastrofa, falë Zotit që mu kujtua, e mora çekiçin e theva xhamin dhe dola unë, e pas meje edhe 6 persona të tjerë”, shpjegon Lulzim Sulejmani.

    Kjo është jeta e dytë edhe për babain e tij.

    “Unë si baba e përjetova gjënë më të vështirë. Herën e parë dëgjova se ka vdekur. Kjo ishte raportuar pas tragjedisë, por pastaj mora vesh se është i gjallë dhe i shëndoshë dhe se gjendet në spital. Menjëherë udhëtova në Sofje”, tha Ali Sulejmani, babi i të mbijetuarit.

    Thotë se tani jeta e tyre është më e lehtë, por ankthin që e kanë përjetuar nuk ia urojnë askujt.

    “E di si ndihen ata tani, mos dashtë Zoti t’i ndodhë askujt, sidomos neve, prindërve. Është vështirë për ta përballuar”, pohoi Ali Sulejmani, babi i të mbijetuarit.

    Nuk fajësojnë askënd, por familja Sulejmani beson se hetimi që po zhvillohet do të japë përgjigje për pyetjen – si ndodhi tragjedia në të cilën humbën jetë 45 pasagjerë?!.

    Një autobus i kompanisë “Besa Trans” nga Shkupi, me udhëtarë kryesisht shqiptarë, në mëngjesin e 23 nëntorit ka marrë flakë në Bullgari, teksa ka qenë duke kthyer në vend turistë që kanë qenë për fundjavë në Stamboll të Turqisë. Në aksident, jetën e kanë humbur 45 persona.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!