×
  • Lajme
  • Lajme

    Këta janë politikanët dhe personat e tjerë që nuk do të marrin vizë nga SHBA

    Reporteri
    16 Maj 2019 | 18:27

    Ambasada e SHBA-ve bën të ditur se është duke ndërmarrë hapa për të siguruar që individëve të cilët janë të përfshirë në rastet e mëdha të korrupsionit të mos ju lëshohen vizat për udhëtim në Shtetet e Bashkuara për biznes apo turizëm.


    Ambasada përmend rastet e mëdha si “Pronto”, “viza italiane”, “ikja nga burgu i Dubravës”, “Toka”, dhe “Apex”.

    Ambasada thotë se është praktikë e zyrtarëve konsullorë që të shqyrtojnë faktet për çdo aplikim për vizë, duke përfshirë edhe çdo informatë negative lidhur me aplikuesin, dhe që të përcaktojnë përshtatshmërinë për marrje të vizës në bazë të ligjeve të SHBA-ve.

    “Sipas nevojës, ne vazhdimisht i peshojmë akuzat dhe dëshmitë për korrupsionin dhe krimin e organizuar gjatë vendimmarrjes për viza, në mënyrë që t’i kufizojmë ata që kontribuojnë në këto probleme nga marrja e vizave për udhëtim në Shtetet e Bashkuara. Ne do të vazhdojmë të shprehim publikisht shqetësimin tonë se askush nuk është duke u mbajtur përgjegjës, përfshirë zyrtarë të Kosovës, për korrupsionin dhe krimin e organizuar që janë qartësisht prezentë në rastet Pronto, viza italiane, ikja nga burgu i Dubravës, Toka, dhe Apex, si dhe në raste të tjera të ngjashme”, thotë Ambasada e SHBA-ve.

    Nga kjo i bie se SHBA nuk do të lëshon viza për disa deputetë, ish-deputetë dhe ministra aktual si persona të dyshuar për rastin “Pronto”, rastin “Toka” dhe për “vizat italiane”, por jo vetëm.

    Reporteri.net përmbledh se kush janë politikanët e nivelit të lartë por edhe njerëz të tjerë që nuk do të mund të udhëtojnë në Amerikë.

    “Rasti Pronto”

    Për rastin “Pronto” Prokuroria Speciale vitin e kaluar ka ngritur aktakuzë ndaj: Adem Grabovcit, ish-deputet, Besim Beqaj, ministër aktual në Qeverinë “Hardianj”, Zenun Pajaziti, deputet aktual, Fatmir Shurdhaj, ish-zëvendës ministër në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Sedat Gashi, ish-këshilltar politik në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Xhavit Dakaj, ish-sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Njazi Kryeziu, ish-Kryesues i Kuvendit në Komunën e Prizrenit, aktualisht këshilltar i Kadri Veselit në Kuvend, Arbenita Pajaziti, ish shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Ilhami Gashi, ish-sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ismet Neziraj, ish drejtori i Bordit të ndërmarrjes publike “Radoniqi-Dukagjini” dhe Rexhë Abazi, ish drejtori i Bordit të ndërmarrjes publike Hidro-Drini” në Pejë.

    Të lartcekurit akuzohen për kryerjen e veprës penale “shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.

    Rasti “vizat italiane”

    Vizë për SHBA nuk do ketë as për ish-deputetin Ukë Rugova, i cili dyshohet se ka udhëhequr grupin kriminal në marrjen e 556 vizave italiane Shengen nga Ambasada e Italisë në Prishtinë.

    Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës e ngarkon Ukë Rugovën se gjatë periudhës maj 2011 deri në shkurt 2014 ka menaxhuar një grupi kriminal duke furnizuar individë me viza shengen të BE-së, nga Ambasada Italiane në Prishtinë.

    Të gjitha këto viza supozohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shtrembërimit apo korrupsionit.

    Dispozitivi tjetër i aktakuzës ngarkon Rugovën edhe për veprën penale posedim i pa autorizuar i armëve ku në rezidencën e tij janë gjetur një pistoletë dhe dy karikator.

    Bashkë me Ukë Rugovën në këtë rast janë të akuzuar edhe Izet Beqiri, Florjan Petani, Qefser Baholli, Astrit Haraqija, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Driton Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami.

    Prokuroria pretendon se ky grup kriminal kishte për qëllim sigurimin e përfitimit material në atë mënyrë që qytetarët të pajisen me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë.

    Rasti “Toka”

    Po ashtu vizë nuk do i lëshohet për Amerikë as ish-deputetit të PDK-së, Azem Syla që është i dyshuari kryesor në rastin “Toka”.

    Prokuroria Speciale më 25 tetor 2016 ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe Syla, të cilët akuzohen për krim të organizuar në tjetërsim të tokave me pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë, afër Prishtinës.

    Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhej prej 46 pikave.

    Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitos, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

    Aktakuza e dytë e ngritur nga i njëjti prokuror akuzon 17 persona për pastrim të parave.

    Gjykata e Prishtinës më 25 shtator të 2018 ka hedhur poshtë aktakuzën ndaj 17 personave të akuzuar në rastin e njohur si “Toka 2”.

    Kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, pas shqyrtimit të kundërshtimeve të mbrojtësve të të akuzuarve në lidhje me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale, kishte vendosur që të hedhë poshtë pretendimet e Prokurorisë ndaj të akuzuarve: Arton Vila, Bejtush Zhugolli, Dalip Brahimi, Jeton Govori, Xhabir Kajtazi, Isak Ademi, Albion Mulaku, Lirim Zeka, Agim Jerlia, Gëzim Rama, Basri Beka, Enver Bajrami, Gani Ferizi, Fehmi Ferizi, Bislim Bajrami, Bajram Gashani dhe Shaip Krasniqi.

    Kurse në raport me të akuzuarit e tjerë: Nexharije Hoti, Mehmet Prishtina, Dukagjin Emërllahu, Reshat Fetahu, Gani Ademi, Avni Maxhuni dhe Shqipe Maxhuni, gjyqtari Kalludra e ka aprovuar aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale.

    Kujtojmë se të gjithë të dyshuarit e këtij rasti janë: Azem Syla, Shaban Syla, Shpresim Uka, Fahredin Gashi, Arton Vila, Hajrullah Berisha, Ilaz Syla, Driton Hajdari, Nuhi Uka – ish kryetar i Gjykatës Komunale në Prishtinë,, Sabedin Haxhiu – kryeshef i ndërmarrjes publike banesore, avokatët Avni Maxhuni, Eduar Gashi, Mexhid Syla, dhe Gazmend Gashi, Ramadan Uka – inxhinier, Avdyrrahman Brashori, Tefik Uka – zyrtar në Gjykatën Komunale të Prishtinës, Biserka Adianqiq – zyrtare certifikuese në Gjykatën Komunale të Prishtinës, dega në Graçanicë, Miliana Vlasaqeviq – zyrtare certifikuese në Gjykatën Komunale të Gracanicës, Lubisha Vujoviq, Aleksandër Bllagojeviq – polic i Kosovës, Vidosav Novakoviq – ish-polic i Serbisë, Bozhidar Lekiq, Dragan Maksimoviq, Shqipe Maxhuni, Elhame Uka, Lumnije Sopjani, Sami Maqedonci, Mustafë Haliti, Sali Bivolaku, Idriz Buza, Nyrtene Brajshori, Enver Çoçaj, Visar Ahmeti, Samir Haxhimusaj, Ndue Palushi, Shkelqim Latifaj, Jusuf Lataj, Agron Haxhosaj, Xhevahir Begolli, Nadir Shantir, Muharrem Kadriu, Ramadan Mavraj, Raif Hajdini, Valdet Shaqiri, Skender Potera, Arsim Hasani, Kujtim Bucaliu, Baki Abdullahu, Haki Hyseni, Jeton Govori dhe Besnik Rexha.

    Rasti “Apex”

    Ambasada përmend edhe rastin “Apex”, por ky rast është mbyllur me 3 mars të vitit 2018, pasi akuza kundër të akuzuarve është hedhur poshtë përfundimisht nga Gjykata e Apelit.

    Kjo gjykatë e shkallës së dytë e ka vërtetuar vendimin e shkallës se parë, të datës 30 dhjetor 2015, marrë nga gjyqtarja Kateien Gabriel Wittenem, duke hedhur poshtë hedhur poshtë aktakuzën kundër 11 personave të ngarkuar mes tjerash për krim të organizuar.

    Në këtë vendim thuhet se “Gjykata e Apelit pas shqyrtimit të lëndës dhe vlerësimit të pretendimeve ankimore në ankesë gjeti se: Ankesa e Prokurorisë speciale të republikës së Kosovës është e pabazuar”.

    Ndërsa në arsyetimin e saj thuhet se gjykata e shkallës së parë në vendimin e muajit nëntor të vitit të kaluar “e pati hedhur poshtë si të palejueshme dhe të parregullt aktakuzën e prokurorisë speciale të Kosovës dhe ka pushuar procedurën penale kundër të pandehurve”.

    11 të dyshuarit në këtë rast ishin vëllezërit Arben e Astrit Krasniqi, Armend Neziri, Mujë Berisha, Gani Zeqiri, Kushtrim Hakaj, Arsim Mulliqi, Luan Halili, Agron Hoxha, Ilir Morina dhe Avni Morina për krim të organizuar, detyrim, shtrëngim dhe posedimi të paligjshëm të armëve dhe narkotikëve.

    Vëllezërit Krasniqi ishin pronarë të lojërave të fatit “Apex”. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!