×
  • Lajme
  • Lajme

    Këta janë tre këshilltarët e Pacollit që ia kanë mësyrë të bëhen pjesë e shërbimit diplomatik

    Reporteri
    15 Maj 2019 | 19:38

    Së paku 3 këshilltarë të ministrit të Jashtëm Behgjet Pacolli, ia kanë mësyrë që të bëhen pjesë e shërbimit diplomatik.


    Duke qenë politikisht brenda Ministrisë së Jashtme, ata kanë aplikuar për t’u bërë pjesë e shërbimit diplomatik.

    Ata janë Fatmir Haxholli, Liridon Sadrija dhe Elena Osmani, ish-anëtare e kabinetit të ministrit Pacolli.

    Haxholli, nuk ka pranuar të flasë për konkurrimin, me arsyetimin se përgjigje mund të japë Zyra për media e Ministrisë së Jashtme, raporton KTV.

    Në një përgjigje me shkrim, Zyra për media e kësaj ministrie ka thënë se të tre emrat e përmendur kanë qenë pjesë e kabinetit të ministrit.

    Kanë thënë se konkurrimi i tyre për t’u bërë pjesë e stafit diplomatik nuk përbën shkelje ligjore dhe se do të shmanget çdo ndërhyrje.

    “Konkursi që ju i referoheni ka qenë publik. Kjo nënkupton që secili shtetas i Republikës së Kosovës që i plotëson kushtet formale të konkursit mund të aplikojë. Personave që ju u referoheni dhe që kanë qenë pjesë e kabinetit më herët, u garantohet e drejta ligjore për të aplikuar dhe nuk kanë asnjë kufizim. Sa i përket pyetjes tjetër, ju informojmë që procedura e konkursit është e rregulluar me akte nënligjore të Ministrisë dhe, si i tillë, ky proces do të kalojë nëpër tri komisione profesionale, që janë edhe filtrat kryesorë të këtij procesi. Kjo nënkupton që nuk ka asnjë mundësi ndërhyrjeje”, thuhet në përgjigjen nga Zyra për media e Ministrisë së Jashtme.

    Ky konkurs ishte shpallur në fillim të muajit të kaluar dhe testi me shkrim tashmë është kryer.

    15 persona do të pranohen, për t’u bërë pjesë e stafit diplomatik.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!