×
  • Lajme
  • Lajme

    Kimberly West caktohet prokurore e specializuar në Gjykatën Speciale

    Reporteri
    02 Qershor 2023 | 9:44

    Kimberly West, e cila ka qenë më parë prokurore federale e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me përvojë të gjerë si në hetimet për krime në nivel vendor ashtu edhe ndërkombëtar, është përzgjedhur Prokurore e Specializuar pas një procedure të organizuar nga Bashkimi Evropian, ka njoftuar Gjykata Speciale.

    West bëhet prokurorja e specializuar e tretë, pas Jack Smith i cili u largua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në nëntor 2022 për të marrë një post si Prokuror Special në Shtetet e Bashkuara.

    “Është një nder që jam përzgjedhur në këtë rol të rëndësishëm dhe sfidues”, ka thënë ajo pas përzgjedhjes. “Pres me kënaqësi të marr detyrën në ZPS dhe ta çoj përpara punën e saj”.

    West ka qenë e fokusuar me punë në mbrojtje të çështjeve penale lidhur me krimin ekonomik. Ka ushtruar detyrën si prokurore për më shumë se dy dekada në role vendore, federale e ndërkombëtare.

    Sipas njoftimit, ajo ka qenë ishte gjithashtu shefe e Byrosë së Krimeve në Zyrën e prokurorit të përgjithshëm të Massachusetts në periudhën nga viti 2015 deri në 2019. “Në këtë rol, ajo mbikëqyrte një ekip prej 120 profesionistësh të ngarkuar me hetimin dhe ndjekjen penale të një game të gjerë eprash penale në fushën e mashtrimeve financiare, korrupsionit publik, trafikut të drogës, lojërave të fatit dhe trafikimit të qenieve njerëzore; në mbrojtjen e të dënuarve në fazën e apelit; dhe në ndihmën për viktimat dhe dëshmitarët”, thuhet në njoftim.

    West ka punuar edhe në Njësinë e Sigurisë Kombëtare amerikane pas sulmeve të 11 shtatorit 2001.

    Për pesë vjet ajo ka shërbyer si prokurore në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë, ku ishte pjesëtare e ekipit që ndoqi penalisht Radovan Karaxhiqin për rolin në gjenocidin në Srebrenicë.

    West bëhet Prokurorja e Specializuar e tretë, pas Jack Smithit, i cili shërbeu si Prokuror i Specializuar në periudhën nga viti 2018 deri në 2022, dhe David Schwendiman, i cili shërbeu nga viti 2016 deri në 2018. Alex Whiting i cili ka shërbyer si Ushtrues i Detyrës së Prokurorit të Specializuar që nga nëntori 2022, do të vazhdojë në këtë rol deri sa West të marrë detyrën e saj.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!