×
  • Lajme
  • Lajme

    Komisionarja Johansson: Kosova ka përmbushur kriteret, liberalizimi të ndodhë tani

    Reporteri
    06 Korrik 2022 | 17:34

    Në kohën kur gjithnjë e më shumë po flitet për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, por vendim konkret ende nuk ka për asgjë, në pah doli një ide e Oliver Varhely, Komisionar për Zgjerime Fqinjësi të Mirë, sipas të cilit Kosovës duhet dhënë edhe një udhërrëfyes tjetër.

    Megjithatë, një ide e tillë jo vetëm që u kundërshtua ashpër në Prishtinë, por edhe nga shumë zyrtarë të tjerë në Bruksel.

    Në lidhje me këtë çështje, është pyetur Ylva Johansson, komisionare Evropiane për Çështje të Brendshme.

    “Liberalizimi i vizave për Kosovën është shumë i vonuar. Është vërtet koha për të marrë një vendim tani”, thotë Johansson në intervistë për RTK.

    “Pra, mendoj se është e rëndësishme t’i bindim shtetet anëtare të Bashkimit Evropian se është koha për ta bërë këtë”.

    Sipas saj, nëse ka diçka që Komisioni Evropian mund të ndihmojë për të bindur shtetet anëtare që të arrijnë në konkludim se Kosova duhet t’i bashkohet udhëtimit pa viza tani, Komisioni është i gatshëm ta bëjë këtë.

    “Më lejoni të them gjithashtu se dëshiroj ta përgëzoj Kosovën për të gjitha arritjet që i keni arritur kohët e fundit sa i përket përmirësimit të sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe veçanërisht luftimin e krimit të organizuar”, u shpreh komisionarja Johansson.

    “I konsideroj këto arritje vërtetë të mrekullueshme. Kjo sigurisht do të ndihmojë në radhë të parë shoqërinë dhe qytetarët e Kosovës që të kenë një shoqëri më të sigurt, por edhe të bindë shtetet anëtare të BE-së, ato që duhet të binden, për marrjen e vendimit për liberalizim të vizave”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!