×
  • Lajme
  • Lajme

    Konflikti Thaçi-Kurti për “kufizimin e lirisë së lëvizjes”, Kushtetuesja ende po pret komente të palëve

    Reporteri
    26 Mars 2020 | 15:44

    Gjykata Kushtetuese është duke e trajtuar me urgjencë kërkesën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, që pak ditë më parë ka kërkuar interpretim lidhur me vendimin për kufizim të lëvizjes në orare të caktuara. Megjithatë, nga ky institucion ende nuk e kanë gati përgjigjen definitive. Janë duke pritur komentet edhe nga disa palë të interesit.


    Gjykata Kushtetuese e Kosovës do ta jep fjalën e fundit lidhur me konfliktin presidencë – kryeministri që është shkaktuar pas vendimit të të parit të Qeverisë së Kosovës, Albin Kurtit për kufizim të lëvizjes së qytetarëve në disa orare të caktuara. Kjo si masë preventive mbrojtëse ndaj përhapjes së virusit COVID-19.

    Pas mos shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme të propozuar nga presidenti, e vendimit në Qeveri për kufizimin e lëvizjes, presidenca është drejtuar në Kushtetuese për të kërkuar interpretim të atij vendimi.

    “Duke marrë parasysh rrethanat e krijuara, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, vendim antikushtetues, si president i vendit, duke respektuar në tërësi kompetencat kushtetuese dhe ligjore, kam vendosur që t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese në kërkesë për interpretim të çështjes së përputhshmërisë së vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës numër 01/15, me datë 23.03.2020 me Kushtetutën e Kosovës, lidhur me kufizimin dhe të drejtat dhe lirive themelore që mbrohen me kushtetutë”, tha presidenti Hashim Thaçi, duke kërkuar nga kryeministri tashmë në detyrë Albin Kurti pezullim të vendimit, derisa të vendosë Gjykata.

    Meqenëse vendimi nga Qeveria nuk është pezulluar, institucioni që do të bëjë interpretimin e ligjshmërisë, mund të jep versionin e saj brenda pak ditëve.

    Nga Kushtetuesja sot gjatë ditës i kanë thënë Gazetës Express se janë duke e trajtuar këtë kërkesë me urgjencë dhe prioritet të lartë.

    “Kjo kërkesë është duke u shqyrtuar. Në komunikatën për media të publikuar të martën, më 24 mars 2020, Gjykata tashmë e ka bërë të qartë se këtë lëndë është duke e trajtuar me urgjencë dhe prioritet të lartë”, ka deklaruar Veton Dula, Drejtor i Zyrës për Komunikim dhe Informim në Gjykatën Kushtetuese.

    Gjykata Kushtetuese ka bërë të ditur të martën se kanë pranuar kërkesën e parashtruar nga presidenti, që ka kërkuar vendosjen masës e parakohshme deri në vendimin përfundimtar, ku ka kërkuar që të pezullohej zbatueshmëria e vendimit të Qeverisë.

    Për të bërë shqyrtimin urgjent dhe gjithëpërfshirës së kësaj kërkese, nga Kushtetuesja kanë kërkuar koment për këtë temë edhe nga disa palë të interesit, si zyra e kryeministrit, zyra e kryeparlamentares, të gjithë deputetët e Kuvendit dhe Avokati i Popullit.

    Këto komente, përkitazi me kërkesën në përgjithësi, duhet që t’i dorëzojnë në Gjykatë në afat prej tri ditësh.

    Derisa afati prej tre ditësh përfundon nesër, Gjykata ka bërë të ditur se kanë pranuar disa komente, pa saktësuar se për cilat bëhet fjalë, teksa shtojnë se janë duke pritur edhe për disa komente tjera.

    “Gjykata tashmë ka pranuar disa komente nga palët e interesit në këtë rast përkitazi me masën e përkohshme dhe aktualisht është në pritje të komenteve të tjera, sipas afatit të përcaktuar prej 3 ditësh, përkitazi me kërkesën në tërësi”, kanë deklaruar nga Kushtetuesja.

    Presidenti i Kosovës ka propozuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në vend, pas përhapjes së koronavirusit në disa prej komunave të Kosovës. Një deklaratë e tillë është përkrahur nga të gjitha partitë, pos Lëvizjes Vetëvendosje.

    Pse përkrahu idenë e presidentit, Albin Kurti javën që lamë pas e shkarkoi nga detyra edhe ish-ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliun.

    Pak ditë më vonë, pa votat e LDK’së në qeveri është marrë vendim për “ndalimin e qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve private, gjatë orës 10:00 – 16:00 dhe prej orës 20:00 – 06:00, përveç për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale (ushqim dhe barna për njerëz dhe kafshë/shpezë), dhe për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhim të pandemisë (menaxhmenti dhe personeli esencial qeveritar dhe komunal nga këta sektorë: shëndetësi, siguri dhe administratë shtetërore)”.

    Nga presidenca kanë deklaruar se nuk mund të merret vendim për ndalim të lëvizjes pa u shpallur gjendje e jashtëzakonshme, duke e vlerësuar si vendim antikushtetues.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!