×
  • Lajme
  • Lajme

    Konjufca për deklaratën e Thaçit rreth raportit të tij me Kurtin: Taktikë e tiranëve, “përçajë e sundo”

    Reporteri
    30 Shtator 2020 | 21:32

    Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca i ka komentuar deklaratat e presidentit të vendit Hashim Thaçi i cili para disa ditësh tha se lideri i VV-së, Albin Kurti nuk i beson Konjufcës, transmeton Reporteri.net.


    Në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, Konjufca ka thënë se kjo është një taktikë e një tirani që vepron me idenë “përçajë e sundo”

    “ Kjo është taktika ‘përçajë e sundo’. Kjo është ajo qysh i qaset Hashim Thaçi kundërshtarëve politik. Taktikë e përçarjes”, tha ai.

    Konjufca është shprehur se marrëdhëniet e tij me Kurtin janë në nivelin më të mirë të mundshëm.

    “Të shkëlqyeshme më të mira se kurrë. Bile nuk mundesh me thënë se po bëhen më të mira, sepse është maksimumi i marrëdhënieve të mira. Hashim Thaçit i pengon kjo sepse mendon që VV e dëmton përmes përçarjes dhe shpfije të tilla i ka në këtë projekt”, shtoi Konjufca.

    Sipas tij Thaçi që 15 vjet tenton ta përçaj këtë parti.

    “Ai është përpjekur qe 15 vjet me me përça Vetëvendosjen. Kurrë nuk ia ka dalë. Unë dhe Albini si kemi marrëdhëniet të një kryeministri me një ministër, i kemi më të ngushta”, u shpreh ai.

    Theksojmë se ditë më parë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se i ka propozuar Albin Kurtit sa ishte kryeministër i Kosovës, që këshilltari i tij Bekim Qollaku dhe Glauk Konjufca të punojnë së bashku për dialogun. E sipas Thaçit, Kurti ka thënë se nuk i beson Glakut, madje e mban në distancë.

    “Sa i përket takimit me Kurtit, ekziston transkripti. Mediat mund ta marrin”, është shprehur Thaçi.

    Thaçi tregon se propozoi një bashkëpunim në mes të Qollakut dhe Konjufcës, por një gjë të tillë e kundërshtoi Kurti.

    “Unë i kam propozuar që Bekim Qollaku të komunikojë me dikën të afërt. Ai tha se unë nuk kam njeri kaq të afërt që i besoj, ai tha se unë punoj veç vet”, ka thënë Thaçi në Pressing të T7.

    “Unë i thash ju lumtë sepse unë nuk mund të punoj pa ekipë. Por, leje Glaukun meqë është i afërt me ju. Ai më tha se “Ti e di i kujt është ai”. Tha unë e mbaj në distancë”, shtoi Thaçi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!