×
  • Lajme
  • Lajme / Reagimi

    Kontratat njëburimore të qeverisë, LDK kërkon të themelohet komision hetimor parlamentar

    Reporteri
    20 Mars 2024 | 16:49

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar themelimin e komisionit hetimor parlamentar për të gjitha kontratat direkte të Qeverisë Kurti, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Në një njoftim në faqen zyrtare në Facebook të kësaj partie, thuhet se LDK do të shfrytëzojë të gjitha mekanizmat institucional ligjor e kushtetues deri në zbardhjen e të gjitha rasteve ku ka dyshime për keqpërdorim.

    “Kërkojmë nga pushteti që të mos i shfrytëzoj ndërmarrjet publike si mjete për propaganda partiake, por të përballet me ne aty ku e ka vendin – në Kuvend”, thuhet mes tjerash në njoftim.

    Njoftimi:

    Lidhja Demokratike e Kosovës ditëve të fundit ka ngritur me shqetësim fenomenin e kontratave direkte të Qeverisë së Kosovës. Vetëm në këtë mandat u zbuluan 781 kontrata njëburimore të nivelit qendror në vlerë prej 209 milionë euro.

    Për këtë fenomen shqetësues, LDK kërkoi përballje në Kuvend, të cilës pushteti i iku. Tani, duket se Qeveria po shfrytëzon mekanizma tjerë propagandues përmes ndërmarrjeve publike që kontrollohen nga eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje.

    Kjo u dëshmua dhe me reagimin e fundit të Telekomit të Kosovës. Ky reagim, në tentativë që të demantojë informacionin zyrtar të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, në vend se të sqaroj të gjitha rrethanat e 21 milionë eurove të kontraktuara direkt, zgjodhi të merret me nënkryetaren e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami.

    Nënkryetarja Bajrami ka deklaruar në Kuvend se sipas Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, në mesin e 781 kontratave me negocim direkt, në Telekomin e Kosovës figurojnë 28 kontrata të tilla në vlerë prej 21,310,000 EUR nga marsi i vitit 2021 deri në janar të vitit 2024. Vërtetësinë e këtij fakti mund ta konfirmoni lehtësisht në listën e KRPP, të cilën e gjeni në foton e bashkëngjitur më poshtë.

    Qeveria e Kosovës dhe menaxhmenti i Telekomit obligohen të japin llogari për këto kontrata dhe të sqarojnë nëse janë ndjekur procedurat ligjore të prokurimit publik për secilën. Rritja e numrit të kontratave direkte gjatë këtij mandati është shqetësuese për shkak të mundësive të keqpërdorimit të parasë publike.

    Prandaj, Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar themelimin e komisionit hetimor parlamentar për të gjitha kontratat direkte të kësaj qeverie. Ne do t’i shfrytëzojmë të gjitha mekanizmat institucional ligjor e kushtetues deri në zbardhjen e të gjitha rasteve ku ka dyshime për keqpërdorim. Njëkohësisht, kërkojmë nga pushteti që të mos i shfrytëzoj ndërmarrjet publike si mjete për propaganda partiake, por të përballet me ne aty ku e ka vendin – në Kuvend.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!