×
  • Lajme
  • Lajme

    Koronavirusi frenon punën e Gjykatës Speciale

    Reporteri
    17 Mars 2020 | 8:12

    Koronavirusi ka frenuar punën e Gjykatës Speciale, e cila në muajt e fundit kishte rritur numrin e të ftuarve si të dyshuar për krime lufte dhe kishte paralajmëruar ngritjen e shpejtë të aktakuzës së parë. Në këtë institucion të drejtësisë, që formalisht është i Kosovës, por e ka selinë në Hagë, janë duke punuar me kapacitete të reduktuara.


    Zyra e Prokurorit të Specializuar, që përbën organin e akuzës në kuadër të Speciales, nuk ka reshtur së marri në pyetje të dyshuar, edhe pasi në Holandë janë konfirmuar rastet e para me koronavirus. Nga të fundit është ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Azem Syla. Më 8 mars ai ka udhëtuar për në Hagë për intervistë, raporton koha

    Para tij, në fund të shkurtit, ishte ftuar si dëshmitar edhe Emrush Xhemajli, një nga ish-drejtuesit e Lëvizjes Popullore, organizatë politike që e ka formuar UÇK-në. Ai ka dhënë një dëshmi triorëshe.

    Në Zyrën e Prokurorit të Specializuar nuk kanë dhënë informacione në lidhje me kapacitetet me të cilat aktualisht operojnë, por kanë thënë të jenë autorizuar Dhomat që të deklarohen rreth kësaj.

    Në Dhomat e Specializuara, që përbëjnë Gjykatën e Speciales, kanë treguar se disa punë personeli është duke i kryer nga shtëpia.

    “Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë marrë masa në pajtim me rekomandimet dhe vendimet e autoriteteve përgjegjëse të shëndetit publik, në përgjigje të COVID-19, ndër të cilat edhe kryerjen e punës nga shtëpia prej personelit, kurdoherë që është e mundshme”, thuhet në një përgjigje të Speciales. “DHSK-ja është tërësisht në funksionim dhe e përcjell në vijimësi evoluimin e situatës”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!