×
  • Lajme
  • Lajme

    Kosnett viziton MFK-në, i përgëzon për qëndrueshmërinë dhe efikasitetin e tyre gjatë vitit të kaluar

    Reporteri
    19 Korrik 2021 | 15:27

    Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett dhe zëvendës shefi i misionit Nicholas Giacobbe e kanë vizituar sot selinë qendrore të Fondacionit Kosovar të Mileniumit (MFK) për të mësuar më shumë rreth iniciativave në të ardhmen dhe për t’u takuar me disa përfituese gra që përfaqësojnë komunitete të ndryshme të Kosovës. Gjatë vizitës, Ambasadori Kosnett u informua për progresin e qëndrueshëm të MFK-së nën Programin e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).


    Ndërsa ishte në MFK, Kosnett shprehu mbështetjen e tij të plotë për pilot-projektet e MFK-së që do ta përshpejtojnë tranzicionin e Kosovës në burime të qëndrueshme dhe të ripërtëritshme të energjisë, adresimin e ndryshimeve klimatike, promovimin e përfshirjes gjinore dhe sociale dhe mbështetjen e qeverisjes së mirë.

    Kosnett e përgëzoi drejtorin e MFK-së, Petrit Selimin dhe ekipin e tij për qëndrueshmërinë dhe efikasitetin e tyre gjatë vitit të kaluar dhe u takua me dy gra përfituese sipërmarrëse të programit të grave të MFK-së për grante në energji.

    Sarah Olmstead, drejtoreshë e MCC-së për Kosovën, theksoi bashkëpunimin e shkëlqyeshëm në vitet e fundit midis ekipeve të MCC-së dhe MFK-së në zbatimin e programeve komplekse dhe inovative. Olmstead gjithashtu tregoi se progresi i suksesshëm ka ndihmuar Kosovën në kualifikimin për mbështetje të mundshme më të madhe nga MCC në formën e një marrëveshjeje Kompakt, e cila aktualisht po negociohet midis dy qeverive.

    Drejtori i Përgjithshëm i MFK-së, Petrit Selimi e falënderoi Ambasadorin për mbështetjen e tij, duke theksuar se “MFK-ja tani është në kulmin e implementimit të projekteve” dhe se “shpresojmë që të përmbyllim projekte që do t’u mundësojnë institucioneve të Kosovës të kuptojnë mënyrat më të mira për ta arritur efikasitetin e energjisë dhe mbështetur qeverisjen transparente”.

    Gjatë vizitës së tij, Ambasadori Kosnett bisedoi me sipërmarrësit Aida Kumnova dhe Ivana Grbiq. Të dyja shprehën mirënjohjen e tyre për MCC-në dhe MFK-në për ndihmën teknike dhe mbështetjen financiare nga programi Gratë në Sipërmarrjet e Energjisë, e cila u ka lejuar atyre që t’i bëjnë bizneset e tyre të energjisë më efikase. Kumnova dhe Grbiq u shprehën të bindura se mbështetja e MFK-së do t’u mundësojë atyre t’i zgjerojnë operacionet e tyre.

    Përkundër sfidave të paraqitura nga pandemia, MFK ka vazhduar me aktivitetet e saj.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!