×
  • Lajme
  • Lajme

    Kosova aplikon në BE, çfarë duhet të dimë?

    Reporteri
    08 Dhjetor 2022 | 14:38
    Fotografi ilustruese

    Pas aplikimit për anëtarësim në Këshill të Evropës (KiE), Kosova do të aplikojë për anëtarësim edhe në Bashkimin Evropian (BE) më së largu deri më 25 dhjetor, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Në KiE, ndonëse ende nuk është futur në agjendë diskutimi, Kosova, nëse jo mbështetjen, gëzon njohjen e më shumë se dy të tretave të vendeve anëtare, dhe prospekti për anëtarësim është mëse real. Veçanërisht pas përjashtimit të Federatës Ruse nga kjo organizatë.

    Bashkimi Evropian, megjithatë, është tjetër gjë. BE vendimet i merr unanimisht me votën e 27 vendeve anëtare. Një votë e vetme e munguar, është një votë bllokade.

    Kosovën brenda BE-së nuk e njohin pesë shtete. Spanja, Qiproja, Greqia, Sllovakia dhe Rumunia. Si rrjedhojë e kësaj, BE ka qëndrim “neutral ndaj statusit” duke e njohur pashkëputshëm nga fusnota/asteriksi, që qëndron aty “për të mos ia paragjykuar statusin”.

    Aty theksohet “vendimi i GJND-së” i 2010’ës që shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, derisa gjithashtu shënohet edhe Rezoluta 12/44 e Këshillit të Sigurimit e vitit 1999 ku Kosovën e trajton si pjesë integrale të Republikës Federale të Jugosllavisë, shkruan Reporteri.net.

    Kjo e fundit nuk ekziston më, pasi ajo u shpërbë më vitin 2006 me pavarësinë e Malit të Zi, dhe pavarësinë e Kosovës më 2008.

    Megjithatë, pesë shtetet mosnjohëse janë barrierë reale e avancimit të Kosovës drejt BE-së, të cilat i referohen asaj Rezolute.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke folur për portalin evropian “Euractiv” ka thënë se “është bërë progres” në lobim te këta pesë shtete mosnjohëse të BE-së.

    “Pra, ne do të vazhdojmë me këtë qasje edhe me mosnjohësit e tjerë, disa prej të cilëve kishin një qasje më të ngurtë ndaj Kosovës, por mendoj se po arrijmë atje, vetëm duhet të jemi të durueshëm”, ka thënë ajo.

    Zëdhënësja e Bashkimit Evropian Ana Pisonero tha se “Kosova ka dal publikisht me qëllimin e saj për të aplikuar për anëtarësim në BE. Ju e dini se Traktati i BE-së është i qartë sa i përket procedurave të përafrimit për anëtarësim në BE, dhe i  mbetet Këshillit që sapo t’i pranojë aplikacionet t’i konsiderojë ato”.

    Por, si anëtarësohet një vend në BE?

    Çdo vend evropian që pranon të promovojë vlerat e përbashkëta të BE-së – respektimin e dinjitetit njerëzor dhe të drejtave të njeriut, lirinë, demokracinë, barazinë dhe sundimin e ligjit – dhe që plotëson disa kushte, të referuara si “kriteret e Kopenhagës”, ka të drejtë të aplikojë për anëtarësimin.

    Vendet duhet të kenë ekonomi tregu funksionale, institucione të qëndrueshme demokratike dhe të jenë në gjendje të zbatojnë ligjet e BE-së dhe të përmbushin detyrimet e anëtarësimit.

    Procesi i anëtarësimit në BE, i quajtur edhe veç si anëtarësim, ka tre hapa kryesorë: kandidaturën (fazën ku provon të hyjë Kosova), negociatat e anëtarësimit dhe ratifikimin e traktatit.

    Statusi i kandidaturës ose kandidatit jepet me vendim unanim të Këshillit Evropian – i informuar nga rekomandimi i Komisionit Evropian – për të pranuar zyrtarisht aplikimin e vendit.

    Këshilli dhe vendi kandidat duhet të bien dakord për një kornizë për negociatat e anëtarësimit.

    Vendet kandidate marrin gjithashtu asistencë financiare dhe teknike gjatë gjithë procesit të anëtarësimit. (Buxheti 2021-2027 i BE-së për ndihmën e para-anëtarësimit është 14.162 miliardë euro), shkruan Reporteri.net.

    Negociatat e anëtarësimit fillojnë pasi vendi kandidat përshtat ligjet e tij kombëtare për t’u përafruar me rregullat e BE-së, të quajtura acquis. Negociatat përfundojnë zyrtarisht pasi secili nga 35 kapitujt e acquis (të cilët fokusohen në tema si taksat, mjedisi dhe politika e mbrojtjes) të mbyllen unanimisht.

    Një traktat aderimi nënshkruhet nga vendi kandidat dhe Bashkimi Evropian (me pëlqimin e Këshillit, Komisionit dhe Parlamentit) dhe më vonë ratifikohet nga kandidati dhe çdo vend i BE-së, kur ai bëhet i detyrueshëm. Vendi tani e tutje konsiderohet një “vend aderues” deri në datën zyrtare të anëtarësimit, kur ai bëhet anëtar i plotë i BE-së. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!