×
  • Lajme
  • Lajme / Përgjigja e MPJ-së

    Kosova i dërgon notë verbale Kroacisë për patentë shoferin “Gjakova, Serbia”

    Reporteri
    27 Shkurt 2024 | 11:22

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka paralajmëruar se do të trajtohet me seriozitet nëse Ambasada e Kosovës në Kroaci ka pasur përgjigje të papërshtatshme për qytetarin Engjell Lekaj, i cili ishte ankuar në këtë ambasadë se në patentë shoferin e lëshuar nga shteti i Kroacisë, Gjakova ishte paraqitur si pjesë e Serbisë.

    Gazeta online Reporteri.net, më 23 shkurt ka raportuar se kosovari, me shtetësi kroate, ka refuzuar ta marrë patentë-shoferin e lëshuar nga Ministria e Brendshme e Kroacisë, shkaku se aty vendlindja e tij në Kosovë është paraqitet si pjesë e Serbisë. Lekajt, tek seksioni ku paraqitet vendi se ku e ka kaluar testin e vozitjes, në dokumentin kroat, po i shkruan “Gjakovë, Serbia”.

    Në denoncimin e tij për gazetën online Reporteri.net, kosovari që jeton në rrethinën e qytetit të Pulës, ka dëshmuar se si për rastin në fjalë ai i është drejtuar për ndihmë edhe Ambasadës së Kosovës në Zagreb.

    Por, thotë se përgjigja që e ka marrë nga ta, “ishte dëshpëruese”.

    Sipas Lekajt, ambasada e shtetit të Kosovës në Kroaci i referoi atij që ta pranojë dokumentin ku Gjakova paraqitet si qytet i Serbisë.

    Gjakova u paraqit si pjesë e Serbisë, Ambasada e Kosovës i thotë kosovarit që ta pranojë dokumentin e lëshuar nga Kroacia

    Në përgjigjen e saj për Lekajn, seksioni konsullor i Ambasadës së Republikës së Kosovës në Zagreb, në gjuhen kroate i tha atij se “sa i përket dokumenteve kroate, duhet të ndiqni udhëzimet siç ju kanë thënë në Ministria e Punëve të Brendshme [e Kroacisë]”.

    “Pra, ne si Ambasadë e Kosovës nuk kemi sistem me institucionet kroate”, thuhet tutje në përgjigjen e ambasadës për kosovarin me shtetësi kroate.

    “Ju tashmë keni patentë shofer të Kroacisë, kështu që veproni siç ju është thënë nga MPB-ja dhe kontaktoni me shkrim institucionet kompetente”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Kosovës në Zagreb për Lekajn.

    Të kontaktuar nga gazeta online Reporteri.net, Ambasada e Kosovës në Zagreb nuk kanë kthyer përgjigje dhe sqarime rreth rastit dhe përgjigjes së tyre për kosovarin me shtetësi të Kroacisë.

    Mirëpo të hënën mbrëma ka kthyer përgjigje Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

    Sipas Ministrisë,  ambasada i ka dërguar një notë verbale autoriteteve kroate për të marrë më shumë informata rreth të dhënave që i janë kërkuar personit në fjalë dhe për çfarë deklarimi bëhet fjalë.

    “Nëse brenda Konsullatës së Kosovës në Kroaci, ka pasur përgjigje jo të përshtatshme ndaj qytetarit në fjalë, atëherë ju sigurojmë se një gjë e tillë do të trajtohet me seriozitetin e merituar”, thuhej në përgjigjen e Ministrisë për gazetën online Reporteri.net.

    Gjakova u paraqit si pjesë e Serbisë, Kadrijaj: Ministria e Jashtme vazhdon me skandale të njëpasnjëshme, koha për reflektim

    Engjëll Lekaj në shkresën e tij për Ambasadën e Kosovës në Zagreb, të cilën e ka parë gazeta online Reporteri.net, thotë se ai me patentë-shofer për herë të parë ishte pajisur në vitin 1997, në Gjakovë, që është edhe vendlindja e tij, dhe aty e ka kryer testin e vozitjes.

    Së fundi, në kërkesën e tij për vazhdimin e patentë-shoferit në Kroaci, zyra në Pula e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kroacisë tek qyteti atij ia evidentoi “Gjakovë, Serbia”.

    Probleme të ngjashme sikur Lekaj, kosovarët me shtetësi tjera të huaja përballen vazhdimisht, përkundër se Kosova nga viti 2008 është shtet i pavarur, dhe i pranuar ndërkombëtarisht.

    Ambasada e Kosovës në Kroaci, nga fundit i vitit 2021, drejtohet nga Ambasadori Martin Berishaj.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!