×
  • Lajme
  • Lajme

    Kosova kushtëzon marrëveshjen finale me çështjen e të pagjeturve

    Reporteri
    20 Tetor 2020 | 8:12

    Pa kapitullin për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, nuk mundet dhe nuk do të ketë marrëveshje përfundimtare me Serbinë, kanë deklaruar zyrtarët e Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur në Kosovë.


    Deklaratat e tilla janë bërë gjatë mbledhjes të së hënës të këtij Komisioni.

    Por, përfaqësues të Fondit për të Drejtën Humanitare si dhe të shoqatës “Zëri i prindërve”, qendër kjo e familjarëve të personave të pagjetur në Kosovë, kanë ngritur dyshimin se a do të zgjidhet fati i personave të pagjetur në rast se nuk do të arrihet marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Sipas deklaratave të palëve në dialogun në Bruksel, çështja e të pagjeturve është njëra prej pikave për të cilën është arritur harmonizimi i qëndrimeve.

    Por, pa një marrëveshje përfundimtare nuk mund të zbatohet asnjë pikë, veç e veç, për të cilat pajtohen palët, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, Kushtrim Gara, udhëheqës i njësisë në kuadër të Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur.

    “Përkundër pajtimeve, megjithatë është thënë që nuk do të ketë marrëveshje për tema specifike pa u arritur marrëveshja në tërësi”, ka thënë Gara.

    Të njëjtën gjë e ka thënë më herët edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, më 12 tetor, në Kuvendin e Kosovës, në interpelancën lidhur me rrjedhën e deritashme të procesit të dialogut me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Hoti theksoi se “çdo dakordim, për cilado elemente të marrëveshjes, është dakordim vetëm parimor, sepse nuk ka pajtim për asgjë përderisa nuk ka pajtim për çdo gjë, përkatësisht përderisa nuk ka pajtim për njohje reciproke”.

    Parimet për çështjen e të pagjeturve

    Deri më tash, para se çështja e të pagjeturve të bëhej temë në dialogun e Brukselit, për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur ka punuar Grupi punues, i cili përbëhet nga dy delegacionet, të Kosovës dhe Serbisë.

    Në mbledhjen e Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur në Kosovë, më 19 nëntor, Ibrahim Makolli, kryesues i delegacionit të Kosovës për bisedime për çështjen e të pagjeturve në grupin punues, ka theksuar se në dialogun e Brukselit është arritur pajtimi për shtyllat, që janë parime, për çështjen e të pagjeturve.

    “Është krijimi i një komisionit të përbashkët, i udhëhequr nga një i emëruar special i Bashkimit Evropian, mekanizëm ky i cili do të jetë përgjegjës për mbikëqyrjen dhe mbështetjen e procesit të zbardhjes së fatit të personave të zhdukur. Ndërkaq që mekanizmat e tjerë në terren, do të jenë po të njëjtit, të cilët kanë vepruar deri më tash. E dyta, është qasja e pakufizuar në të gjitha arkivat vendore dhe ndërkombëtare, duke përfshirë edhe ato të ushtrisë, policisë dhe të forcave të tjera të Serbisë, të cilat kanë marrë pjesë në kryerjen e krimeve në Kosovë dhe fshehjen e trupave të të vrarëve dhe të masakruarve”, ka thënë Makolli.

    Ai gjithashtu ka shtuar se realizimi i gjithë këtij procesi parashihet të kryhet brenda afatit kohor prej 18 muajve, që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes përfundimtare eventuale. Por, pajtimi për këto parime, siç ka thënë ai, do të hyjë në fuqi vetëm nëse arrihet marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!