Kosova s’e ka plotësuar një nga tre kriteret për marrjen e vaksinave nga Covax

Aleanca Covax ka kërkuar nga vendet përfituese të plotësojnë tre kritere për marrjen e vaksinave. Një prej tyre, Autorizim Marketingun për vaksinën Astra Zeneca, Kosova ende nuk e ka plotësuar. Ministria e Shëndetësisë thotë se i ka bërë të gjitha përgatitjet dhe është e gatshme të lëshojë AM-në.


Në fillim të këtij muaji aleanca Covax e ka vendosur Kosovën në listën e përfituesve të vaksinës Astra Zeneca e prodhuar nga kompania Bioscience në Korenë Jugore. Sipas kësaj liste, Kosova është i vetmi vend në rajon që pritet të marr 100 mijë e 800 vaksina falas, derisa vendet tjera si Shqipëria, Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi janë të listuara si vende që do të paguajnë vaksinat.

Covax në një përgjigje për Gazetën Shneta ka deklaruar se faza e parë e distribuimit të vaksinës do të ndodhë në muajin mars, por ka thënë se në mënyrë që Kosova të përfitojë duhet t’i përmbushë tre kritere.

Sipas Covax, të gjitha shtetet përfituese duhet të japin autorizimin për përdorimin e vaksinës, të nënshkruajnë një deklaratë për marrjen e përgjegjësisë për dëmshpërblim, si dhe plani i tyre i vaksinimit të jetë i aprovuar nga Covax.

Në anën tjetër Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se dy prej këtyre kushteve i ka plotësuar, ndërsa për të tretin është në pritje.

“Marrëveshja për përgjegjësi dhe dëmshpërblim në mes të MSH dhe prodhuesit, sipas kërkesës dhe matricës së COVAX, është konfirmuar nga MSh (pas konsultës edhe me MF dhe MPJ). Në formularin e aplikimit për secilin shtet që merr vaksina përmes COVAX një marrëveshje e tillë duhet të nënshkruhet nga palët, por përmes COVAX-it gjithnjë”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Kompania Bioscience në Korenë e Jugut, prodhues i vaksinës Astra Zeneca, ka deklaruar se përgjigjen për marrëveshjen e dëmshpërblimit duhet të kërkohet tek Astra Zeneca.

“Përgjigjen në pyetjen tuaj mund ta japin AstraZeneca, jo ne”, ka deklaruar Chang-hyun Jin.

Në anën tjetër Ministria e Shëndetësisë thotë se plani shtetëror i Kosovës për vaksinimin është miratuar nga OBSH dhe Covax.

“Plani Shtetëror i Vaksinimit kundër Covid 19 është vendosur (ngarkuar) në platformën përkatëse elektronike të ËHO, dhe pas shqyrtimit është aprovuar nga WHO! Pranimi i Planit Shtetëror për vaksinim kundër COVID-19 të Kosovës është konfirmuar edhe edhe nga COVAX edhe përmes mailit”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Ndërkaq sa i përket Autorizim Marketingut që nevojitet për pranimin e donacionit dhe përdorimit të vaksinës në territorin e Kosovës, MSH thotë se është në pritje.

“Në rastin konkret, meqenëse vaksinat do të jenë donacion nga COVAX, janë bërë të gjitha përgatitjet që leja e importit për donacione të lëshohet menjëherë (si procedurë me e lehtë dhe me e shpejtë), sapo të dërgohen dy dokumentet e domosdoshme, të cilat tanimë i kemi kërkuar nga dy burime të mundshme nga ana e donatorit! Edhe për vaksinën do të vlejë procedura e thjeshtëzuar sipas vendimit të MSh për AM sikurse në rastin për produktet Remdesivir, Favipiravir dhe Chloroquine”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Në anën tjetër nga Covax kanë deklaruar të mërkurën se brenda kësaj jave do të publikohet lista e vendeve që i kanë plotësuar kushtet për të përfituar donacionin e vaksinave.

“Më shumë informacione për dorëzimin e vaksinave do t’iu komunikohen të gjitha vendeve dhe do të publikohen online gjatë kësaj jave”, thuhet në përgjigjen e Covax.

Covax gjatë kësaj jave ka furnizuar dy vende afrikane me vaksina, në Gana rreth 600 mijë ndërsa në Bregun e Fildishtë rreth 500 mijë doza. Të dy vendet janë furnizuar nga prodhuesi i Astra Zeneces në Indi.

Kujtojmë se ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj kishte deklaruar se vaksinat do të vijnë në muajin shkurt, por një gjë e tillë tashmë nuk ka ndodhur. Zemaj dhe kryeministri Hoti sot kanë mbajtur një takim me drejtorët e SHSKUK-së dhe IKSHPK-së ku është diskutuar gjendja me pandeminë në Kosovë.

Hoti ka thënë se në këtë takim është përsëritur domosdoshmëria e zbatimit të masave dhe kufizimit të grumbullimit të qytetarëve.

Por shtrëngimi i masave dhe kufizimi i qytetarëve nuk po mirëpritet për shkak të shkeljes së masave dhe rekomandimeve nga të gjitha partitë politike gjatë fushatës zgjedhore në fund të janarit dhe në fillim të shkurtit.

Në Kosovë deri më tani janë regjistruar mbi 68 mijë raste pozitive me Sars-Cov-2 dhe 1592 viktima. Aktualisht janë mbi 7 mijë raste aktive.