×
  • Lajme
  • Lajme

    KPM sqarohet për idenë e rrezikshme për kontroll ndaj mediave online

    Reporteri
    21 Prill 2021 | 14:38

    Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kanë reaguar përmes një komunikate të përbashkët, përmes të cilës kanë thënë se janë kundër që përmbajtja e mediave online të rregullohet nga ana e Komisionit të Pavarur për Media. Këtë deklaratë, KMSHK dhe AGK e kanë lëshuar pas mbledhjes së Komisionit për Qeverisje Lokale, Zhvillim Rajonal dhe Media.


    “Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës – Press Council of Kosovo dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) kanë pranuar me shqetësim raportimet se në Komisionin për Qeverisje Lokale, Zhvillim Rajonal dhe Media të Kuvendit të Kosovës është përmendur edhe mundësia e rregullimit të përmbajtjes online të mediave nga ana e Komisionit të Pavarur për Media (KPM)”, thuhet në reagim.

    Nga këto dy organizata thonë se kundërshtojnë çfarëdo përpjekje që përmbajtja online e mediave të rregullohet nga institucione shtetërore.

    “KMShK, si mekanizëm vetërregullues që përfaqëson mediat e shkruara dhe online dhe AGK, si organizatë që përfaqëson gazetarët, kundërshtojnë çdo përpjekje dhe çdo iniciativë, nga kushdoqoftë, për përfshirjen e përmbajtjes online të mediave si pjesë e mekanizmit rregullues nga institucione shtetërore”, thuhet tutje në reagim.

    Megjithatë nga KPM kanë lëshuar një deklaratë për media ku kanë sqaruar se s’kanë kërkuar diçka të tillë në mbledhjen e Komisionit për Media në Kuvendin e Kosovës.

    Nga ky institucion thonë se kërkesa e tyre ka qenë që të kenë kompetenca për shërbimet mediale audio-vizuele që shpërndahen në platforma online.

    “Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) sqaron opinionin publik se, gjatë raportimit të KPM-së në Komisionin për Qeverisje Lokale, Zhvillim Rajonal dhe Medie të Kuvendit të Kosovës, NUK është kërkuar që në procesin e amandamentimit të Ligjit për KPM-në të përfshihet çështja e rregullimit mediave online në kuadër të kompetencave të KPM-së, siç është paraqitur në opinion përmes disa portaleve. KPM-ja ka kërkuar që në procesin e amandamentimit të Ligjit për KPM-në, të parashihen kompetenca sa i përket shërbimeve mediale audio-vizuele që shpërndahen në platforma online, ashtu siç është rekomanduar në Raportin e Progresit për Kosovën për vitin 2020 të Parlamentit dhe Këshillit të Evropës dhe duke u bazuar në Direktivën 2018/1808 të Parlamentit dhe Këshillit të Evropës për Shërbime Mediale Audio-Vizuele (Audiovisual Media Services Directive)”, thuhet në sqarimin e KPM-së.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!