×
  • Lajme
  • Lajme / Reagimi

    Krasniqi: Dyshimet janë të mëdha, IML është kthyer në instrument politik të pushtetit – urgjentisht të zbardhet rasti i zjarrit

    Reporteri
    21 Nëntor 2023 | 13:04

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka kërkuar nga organet e drejtësisë të hetojnë rastin e djegies së dy zyrave në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

    Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se për të dytën herë brenda një viti, Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë po dëmtohet nga zjarre të dyshimta.

    Kreu i PDK-së ka shtuar  se  pas zhdukjes së mostrave të rastit të Astrit Deharit në dhjetor të vitit të kaluar dhe zjarrit të marsit të këtij viti, sot flaka kaploi disa nga zyrat kryesore të këtij Instituti.

    “Nga të gjitha organet kompetente, kërkoj që urgjentisht të hedhin dritë mbi këtë çështje. Ndërkaq, Ministria e Drejtësisë, e cila menaxhon me këtë Institut, duhet të dalë urgjentisht me informata konkrete rreth këtij rasti! Çfarë e shkaktoi zjarrin? Çfarë u dogj dhe cilat janë dëmet? A janë dëmtuar prova dhe mostra të tjera, të cilat do të dëmtojnë hetimin e ndonjë rasti? Si është e mundur që edhe pas zhdukjes së mostrave të rastit Dehari, mbikëqyrja dhe niveli i sigurisë në këtë Institut të mbeten kaq të ulëta?”, ka shkruar Krasniqi.

    Sipas tij, mungesa e mbrojtjes së Institutit të Mjekësisë Ligjore, edhe pas dështimeve të kaluara, nuk mund të quhet më as papërgjegjësi dhe as rastësi.

    Krasniqi ka deklaruar se tashmë, dyshimet janë edhe më të mëdha se, për qëllime të caktuara të pushtetit aktual, ky Institut është rikthyer në cak dhe në instrument politik.

    “Dikush duhet të jap përgjegjësi”, ka shkruar ai.

    Në një sërë reagimesh, zyrtarë të PDK-së sot kanë ngritur dyshime mbi zjarrin që shpërtheu tek IML, për herë të dytë brenda këtij viti.

    Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri  ka thënë se kjo situatë është tepër shqetësuese dhe se shkaqet e këtij zjarri duhet të zbardhen sa më parë.

    Siç tha ai, pas skandalit të zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit e dështimit për mbrojtje dhe siguri të IML-së, tani është cënuar besimi i qytetarëve në punën e këtij institucioni.

    Sipas tij, përpjekjet e vazhdueshme të Qeverisë Kurti për degradimin e punës së IML-së kërkojnë trajtim urgjent nga ana e Kuvendit të Kosovës.

    “Djegia e zyreve të punës së ekspertëve të Institutit të Mjekësisë Ligjore në mëngjesin e ditës së sotme është tepër shqetësuese, prandaj edhe rrethanat e shkaqet duhet të zbardhen sa më parë”, ka shkruar Tahiri.

    “Pas skandalit të zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit, dështimit për të shtuar kapacitetet e mbrojtjes dhe të sigurisë së IML-së, sulmeve dhe fyerjeve të udhëheqësve të Ministrisë së Drejtësisë ndaj ekspertëve mjeko-ligjor, ka cenuar thellë edhe besimin e publikut në punën e këtij institucioni, i cili si i tillë, është në vartësi të drejtpërdrejtë menaxheriale të Ministrisë së Drejtësisë.
    Përpjekjet e vazhdueshme të kësaj qeverie për të degraduar punën dhe imazhin e IML-së, kërkojnë trajtim urgjent edhe nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, tha ai.

    Lidhur me këtë rast, reagoi sot edhe Sekretari organizativ i PDK-së, Betim Gjoshi i cili tha se një gjë e tillë nuk është rastësi e vogël, kur një ditë pas Ministrja Haxhiu u intervistua nga Prokuroria për rastin Dehari.

    Në anën tjetër, ka shprehur dyshime se dikujt po i pengon ky institut, i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.

    Kujt po i pengon ky institucion ka ngritur pyetjen edhe deputeti i PDK-së, Mërgim Lushaku.

    Ministria e Drejtësisë ka dalë me një reagim pasi objekti i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, u përfshi nga flakët mëngjesin e sotëm.

    Në reagimin e MD-së thuhet se shkaqet e zjarrit ende nuk dihen dhe se në vendngjarje po qëndron zëvendësministri, Blerim Sallahu.

    “Sot rreth orës 08:00 në hapësirat e IML-së ka filluar një zjarr që ka përfshirë disa nga zyret e katit të dytë të objektit. Zjarri është lokalizuar dhe për momentin nuk dihen shkaqet.
    Menjëherë pas pranimit të informacionit, ekipet e zjarrëfiksëve dhe policisë kanë shkuar në vend të ngjarjes. Zëvendësministri Sallahu është duke qëndruar po ashtu atje, për të kuptuar më shumë rreth situatës së krijuar. Për zhvillimet e mëtutjshme do të informoheni me kohë”, thuhet në njoftim./Reporteri.net/

    PDK ngre dyshime për zjarrin në IML: Qeveria po e degradon vazhdimisht këtë institucion, çështja kërkon trajtim urgjent edhe nga Kuvendi

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2023. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!