×
  • Lajme
  • Lajme

    Krejt ‘pazaret’ që u bënë për karrigen e shefit të shtetit

    Reporteri
    03 Prill 2021 | 18:41

    Në dy dekadat e fundit, është parë dramë, sa herë në rend dite ka ardhur zgjedhja e kreut të shtetit. Deri tash, Kosova ka pasur pesë presidentë, katër prej të cilëve nuk e kanë çuar mandatin deri në fund. Drama është duke e shoqëruar edhe procesin e zgjedhjes së presidentit të ri. Dhe, dy alternativa ndodhen përpara: kuorumi për presidentin, ose çuarja e vendit në zgjedhje të parakohshme.


    Presidenti i Republikës, në letër, përfaqëson unitetin e popullit të Kosovës. Por, historia e pasluftës dëshmon se pozita e kreut të shtetit ka përbërë simbolin e pazareve politike për qëllime të liderëve partiakë.

    Është histori më shumë se dydekadëshe, gjatë së cilës janë parë drama politike sa herë në rend dite ka ardhur zgjedhja e kreut të shtetit, shkruan Koha.

    Deri tash, Kosova ka pasur pesë presidentë, katër prej të cilëve nuk e kanë çuar mandatin deri në fund.

    Ibrahim Rugova është njeriu që thuajse në gjithë karrierën e tij politike ishte shef shteti. Gjatë viteve ’90 kishte shërbyer si president i Republikës së Kosovës, status ky që vendit nuk i ishte njohur ndërkombëtarisht.

    Edhe pas çlirimit, kur Kosova u vu nën mbikëqyrjen ndërkombëtare dhe nuk e kishte të definuar statusin, e synonte të njëjtën pozitë, ani se Korniza Kushtetuese i përshkruante më shumë rol ceremonial.

    Me insistimin e ndërkombëtarëve, pas zgjedhjeve të 2001-s, të cilat ishin fituar nga LDK-ja, kishte bashkëqeverisje të të gjithë spektrit politik.

    Votimi për institucionet ishte sui-generis – nuk u votua veç e veç për to, por zgjedhja u konstatua pasi deputetët e legjislaturës së parë votuan pro marrëveshjes së koalicionit, e cila parashihte që Rugova të bëhej kryetar, e Bajram Rexhepi i PDK-së kryeministër.

    Pas zgjedhjeve të 2004-s, Rugova e pati lënë në opozitë PDK-në, që përbënte forcën e dytë politike. E, përzgjedhja për partner qeverisës një parti të vogël siç ishte AAK-ja, për pak sa s’i kishte kushtuar me dështim. Ai arriti të zgjidhej vetëm në raundin e tretë.

    Disa kohë më vonë, Rugova kumtoi për probleme serioze me shëndetin.

    Në fund të 2016-s Rugova humbi betejën me sëmundjen.

    Fatmir Sejdiu – Presidenti antikushtetues

    Rreth një muaj pas vdekjes së Ibrahim Rugovës, në pozitë të tij u zgjodh Fatmir Sejdiu. Meqë koalicioni kishte mbetur i paprekur, edhe ky qe zgjedhur pas tri raundesh të votimit. Në të tretin siguroi 80 vota.

    Në dhjetor të 2006-s, u organizuan zgjedhje edhe për pasuesin e Rugovës në parti. Kryetar i LDK-së u zgjodh Sejdiu. Kuvendi partiak ishte shoqëruar me zhvillime dramatike, të cilat çuan në ndarje të partisë. Në zgjedhjet pasuese të përgjithshme, humbi primatin e subjektit të parë politik në Kosovë.

    Kësisoj, zgjedhjet e 2007-s i fitoi PDK-ja, që i ofroi marrëveshje koalicioni LDK-së dhe pjesë të pazarit pati edhe postin e presidentit. Ia la postin Sejdiut, ndonëse kundër kësaj kandidature ishte e gjithë opozita.

    Ishte votim dramatik ky. Në dy raundet e para kur kërkoheshin së paku 80 vota, Sejdiu siguroi mbështetjen e 62, përkatësisht 61 deputetëve. Vetëm në raundin e tretë ai mori 68 vota, të cilat i mjaftuan të rizgjidhej shef shteti.

    Kur ishte konsumuar më shumë se gjysma e mandatit të rregullt, Sejdiu qe detyruar të japë dorëheqje, pasi Gjykata dha verdiktin se ai po e shkelte Kushtetutën duke mbajtur njëkohësisht edhe funksionin e presidentit e edhe të kreut të LDK-së.

    Pas kësaj, LDK-ja u tërhoq nga Qeveria. E, pak kohë më vonë, vendi shkoi në zgjedhje të parakohshme.

    Behgjet Pacolli – SMS-Presidenti antikushtetues

    Në fund të shkurtit të 2011-s, Kosova qe bërë me institucione të reja, pas zgjedhjeve të parakohshme. Për partner koalicioni, PDK-ja kishte përzgjedhur AKR-në, një parti fare të vogël.

    Marrëveshja e bashkëqeverisjes kërkonte që Behgjet Pacolli të zgjidhej president.

    Procesi i votimit për kreun e shtetit mund të dështonte sikur Thaçi të mos i ngujonte deputetët e tij në një sallë të Kuvendit pas raundit të dytë të votimit, ngaqë një numër i tyre s’ia jepnin dot votën kreut të AKR-së. Në raundin e tretë Pacolli ka mundur të marrë 62 vota, 4 më shumë se në të dytin dhe 8 më shumë se në raundin e parë.

    Procesi ishte shoqëruar me shumë prapaskena.

    “Chrisi është me mua”, shkroi Pacolli në një SMS, disa minuta para se Kuvendi ta zgjidhte. Me “Chris” e mendonte ambasadorin e amerikan Christopher Dell. KOHA mundi t’i incizonte disa prej këtyre SMS-ve, përmbajtja e të cilëve tregoi për ndërhyrje në vullnetin e një pjesë të deputetëve të PDK-së.

    Pacolli mundi ta shijojë kolltukun presidencial vetëm për rreth një muaj. U largua, pasi Gjykata Kushtetuese gjeti se zgjedhja e tij ishte antikushtetuese, ngaqë në proces kishte vetëm një kandidat dhe gjatë votimit nuk kishin marrë pjesë së paku 80 deputetë, sa është numri minimal për ta bërë kuorumin.

    Atifete Jahjaga – Presidentja e zarfit

    Atifete Jahjaga përbënte emër anonim në Kosovë, deri në 2011-n kur u përmend si emër konsensual i tri partive, për ta bërë presidente. Në fakt, ishte emër që e sponsorizoi ambasadori amerikan i asaj kohe, Christopher Dell.

    Pas largimit të Pacollit, Dell kishte ulur në tryezë Hashim Thaçin e Behgjet Pacollin që e bënin pushtetin, si dhe Isa Mustafën që ishte në opozitë. Të tre kishin firmosur një marrëveshje, me të cilën bëhej presidente Jahjaga, një oficere policie fare pak e njohur në publik.

    Në një paraqitje publike, Pacolli kishte thënë se emrin e Jahjagës ambasadori e kishte nxjerrë nga një zarf dhe kjo kandidaturë i kishte lënë gojëhapur të tre liderët partiakë.

    Jahjaga arriti të siguronte 80 vota që në raundin e parë dhe të siguronte mbështetjen edhe të një pjese të opozitës.

    Një pazar politik kishte në këtë proces.

    Krahas zgjedhjes së Jahjagës, të njëjtën ditë, nëpërmjet një rezolute ligjvënësit i kishin dhënë mbështetje marrëveshjes së arritur nga tre liderët partiakë, me të cilën parashihej një reformë zgjedhore dhe shprehej qëndrimi se me t’u përmbyllur ajo, Jahjaga do të lëshonte vend për presidentin e ri.

    Pazarin ua prishi Kushtetuesja. Një aktgjykim i kësaj gjykate i shpalli jokushtetuese mbi 60 për qind të amendamenteve të propozuara. Midis tyre, edhe amendamentin 10 që ia ndërpriste në gjysmë mandatin Jahjagës. Kësisoj, ajo u bë shefja e parë e shtetit që e çoi mandatin 5-vjeçar deri në fund.

    Hashim Thaçi – Presidenti i gazit

    Para se Jahjaga ta përmbyllte mandatin, ishin mbajtur zgjedhjet nacionale dhe një marrëveshje mes rivalëve të vjetër, PDK-së e LDK-së, përfshiu edhe postin e kreut të shtetit. Me të, shprehej pajtimi që Hashim Thaçi të bëhej president.

    Por, në 2016-n, tymi e pati shoqëruar procesin e zgjedhjes dhe inaugurimit të tij.

    Në fund të shkurtit të atij viti ia doli të bëhej shef shteti, në një seancë të Kuvendit që nuk ishte e jashtëzakonshme vetëm për kah statusi procedural. Procesi maratonik 9-orësh, përveç që ishte shoqëruar me gaz lotsjellës në sallën plenare, nga e cila deputetë opozitarë ishin nxjerrë zvarrë, jashtë Kuvendit ishte shoqëruar edhe me përleshje midis policisë e mijëra protestuesve që kundërshtonin këtë zgjedhje.

    U zgjodh vetëm në raundin e tretë të votimit. Në të parin siguroi vetëm 50 vota, duke thyer kështu një rekord të zi, ngaqë prej pasluftës e këtej, nuk kishte marrë ndonjë president kaq pak mbështetje në ndonjë rreth votimi.

    Në javën e dytë të prillit të 2016-s, në një ritual që nuk kishte mbështetje në Kushtetutë dhe të zhvilluar në rrethim të hekurt, Thaçi ishte inauguruar në postin e ri. Inaugurimi është zhvilluar nën masa të rrepta të sigurisë. Megjithëkëtë, autoritetet nuk kanë mundur të parandalojnë akte proteste. Së paku katër bombola gazi lotsjellës ishin hedhur në sheshin qendror të Prishtinës, ku ishin akomoduar mysafirët.

    Por, u dorëhoq gjashtë muaj para se ta përfundonte mandatin, për të udhëtuar në Hagë, ku po ballafaqohet me akuzat për krime lufte.

    Që nga nëntori i vjetëm, posti ende mbetet vakant. Vetëm sot Kuvendi ka në rend dite zgjedhjen e presidentit të ri.

    Dramë e re e ka shoqëruar edhe këtë proces, nga fakti që Lëvizja Vetëvendosje që synon ta bëjë shefe shteti Vjosa Osmanin, nuk ka garanci se në procesin e votimit e siguron kuorumin prej 80 votash.

    Tani, dy alternativa ndodhen përpara: kuorumi për presidentin, ose çuarja e vendit në zgjedhje të parakohshme. /koha/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!