×
  • Lajme
  • Lajme

    Kryeministri Haradinaj tregon për numrin e të ardhurve nga Shqipëria: Ndihmat dërgoni në Kazermën e FSK’së në Prizren

    Reporteri
    29 Nëntor 2019 | 11:25

    Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se në Kosovë nga Shqipëria kanë ardhur për strehim pas tërmetit mijëra persona.


    Ai u ka bërë thirrje të qytetarëve që ndihmat që po i grumbullojnë t’i dërgojnë në Kazermën e FSK’së në Prizren, që kjo të bëhet në formë të organizuar dhe institucionale, në mënyrë që të mos krijohet konfuzion.

    Më poshtë gjeni të plotë deklaratën e kryeministrit të detyrë Ramush Haradinaj:

    Të gjitha veprimet ndër-institucionale që Kosova ka ndërmarrë pas tërmetit me pasoja tragjike në Shqipëri, kanë qenë të koordinuara dhe në bashkëveprim me të gjitha palët.

    Në këto momente, në Kosovë kanë arritur mijëra persona nga Shqipëria, të cilët po evidentohen dhe po strehohen qoftë në baza individuale, qoftë në mënyrë të organizuar institucionale.

    Përkitazi për këtë, ne kemi mobilizuar të gjitha mekanizmat e nevojshëm për të menaxhuar situata të kësaj natyre.

    Tashmë Kampi Inovativ Trajnues Kosovaro – Gjerman në Prizren është mbushur në të gjitha kapacitetet që ka dhe jemi duke u angazhuar në evidentimin e personave dhe ofrimin e strehimit.

    Andaj, për t’i evituar të gjitha konfuzionet për këtë mobilizim qytetar të ofrimit të ndihmës dhe grumbullimin e ushqimeve, ju bëjë apel të gjithëve që ushqimin dhe materialet e tjera të nevojshme, t’i dërgojnë në Kazermën e FSK-së në Prizren dhe pastaj ato do të delegohen në mënyrë të kujdesshme dhe të kontrolluara në vendet ku ka nevojë.

    Edhe njëherë, angazhimi ynë që nga dita e parë pas kësaj fatkeqësie ka qenë institucional dhe i koordinuar dhe kësisoj duhet t’i menaxhojmë edhe veprimet vullnetmira të qytetarëve tanë!

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!