×
  • Lajme
  • Lajme

    Kryeministri Hoti kritikon Kurtin që nuk ia dorëzoi detyrën

    Reporteri
    04 Qershor 2020 | 22:14

    Kryeministri i ri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se ai do të jetë kryenegociator në dialog me Serbinë, kurse nuk do të pranojë të hyjë në mes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.


    Mirëpo, në një intervistë për transmetuesin publik, Hoti ka kritikuar pararendësin Albin Kurti që nuk e bëri pranim-dorëzimin e detyrës.

    Sipas Hotit, Kurti me veprimin e tij që të mos e bëjë pranim-dorëzimin e detyrës, nuk ka treguar kulturë institucionale.

    “Ish-kryeministri nuk ishte në zyrë. Ka qenë e pritshme, në bazë të deklaratave, ku e bëri të ditur. Kjo nuk tregon kulturë institucionale, siç e kam marrë unë detyrën, në të ardhmen do t’ia dorëzoj dikujt tjetër. Ne duhet të pajtohemi me rrotacionin”, ka shtuar Hoti.

    Hoti ka thënë se nuk ndihet i zemëruar me bashkëpartiaken Vjosa Osmani, që nuk kishte udhëhequr seancën e Kuvendit kur ai u zgjodh kryeministër. Teksa ka thënë se është e drejtë e Osmanit të delegojë udhëheqjen e seancave, Hoti ka shtuar se “nuk më ka zemëruar”.

    “Fokusi im është në zbatimin e programit qeverisës, jo te sjelljet e politikanëve. Fokusi im është te krijimi i një kulture krejt tjetër politike”, ka deklaruar ai.

    Hoti u bë kryeministër të mërkurën e 3 qershorit me minimum votash, 61. Ai mori detyrën pasi Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë presidentit Hashim Thaçi për dekretin që të mandatonte Avdullah Hotin për kryeministër, pas rrëzimit të Albin Kurtit më 25 mars.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!