×
  • Lajme
  • Lajme

    Kryeministri tregon pse nuk e tha asnjë fjalë për dosjet e Speciales

    Reporteri
    24 Shtator 2020 | 11:34

    Kryeministri Avdullah Hoti është pyetur sot nga gazetarët lidhur me dosjet e Gjykatës Speciale të publikuara nga Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.


    Ai nuk ka dashur të flasë për rrjedhjen e këtyre dosjeve me arsyetimin se qeveria nuk përzihet në punët e drejtësisë.

    “Ndoshta çuditeni që e keni këtë çasje, por është normale. Punët e drejtësisë janë të ndara nga punët e përditshme të Qeverisë. Unë s’vlerësoj që është punë e Qeverisë që të reagojë, unë vetëm mund të bëjë thirrje që drejtësia të kryejë punën e vetë në mënyrë të paanshme”, tha ai në konferencë për media, shkruan Reporteri.net.

    Për dallim nga Hoti, rrjedhjen e dosjeve të Speciales e kanë komentuar presidenti i vendit, ish-kryeministri Kurti, dhe kreu i AAK-së.

    Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se rrjedhja e informatave të klasifikuar mund të shkojnë në dëm të të pandehurve potencial.

    “Zhvillimet e fundit ku pretendohet sa ka rrjedhje të informatave të klasifikuara nga këto institucione janë tejet shqetësuese sepse dëmtojnë arsyen kryesore mbi të cilën ishte vendosur zhvendosja e këtyre institucioneve jashtë Kosovës. Po që se vërtetohet se informatat e klasifikuara që kanë rrjedhur janë autentike, pres që autoritetet përkatëse të këtyre institucioneve të kryejnë hetime penale në lidhje me këtë ngjarje dhe që personat përgjegjës për këtë rrjedhje të informatave të klasifikuara, kushdo qofshin ata, të dalin para drejtësisë”, është shprehur Thaçi në T7.

    Kurse Ramush Haradinaj thotë se me publikimin e dosjeve po dëmtohen direkt të akuzuarit.

    “Janë dashakeqëse për Kosovën. Është shumë keq që kjo po ndodh. Duhet të kemi qëndrim të qartë si shtet. Veteranët po bëjnë gabime të mëdha, kanë ra në një grackë të dikujt që e ka bërë këtë skenar”, ka thënë Haraidnaj.

    Ndërsa, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në një intervistë për KTV publikimin e dosjeve i ka quajtur “filma të lodhtë”, të cilët, sipas tij, ndodhin pasi presidenti Thaçi “këndoi si bilbil për 4 ditë në Hagë”.

    Ai tha se shqiptarët nuk e kanë traditë të bëjnë “kësi lloj filmash”.

    “Nuk e di a janë të inskenuara (nga zyra e presidentit), por filma të lodhtë po. Ne shqiptarët nuk e kemi pasur në traditë që të bëjmë kësi lloj filmash, Serbia po, me trenin serbo-rus. Serbia marojke këso filmash, ne shqiptarët jo. Ne kemi ardhur deri këtu për shkak të rilindësve tanë dhe sinqeritetit që na karakterizon, kësi filmash nuk kemi ditë me bo. Ku i mësuan këta, nuk e di”, ka deklaruar Kurti. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!