×
Intervista

Kryetari i Kaçanikut, Besim Ilazi: Qe 4 vite nuk kemi marrë projekte të reja nga institucionet qendrore

Autor:Blendi Gashi
12 Dhjetor 2022 | 11:09

Komuna të caktuara që nuk udhëhiqen nga kryetar që vijnë nga Lëvizja Vetëvendosje kanë adresuar kritika në drejtim të Qeverisë Kurti se po bën selektime partiake në ndarjen e buxhetit.

Edhe kryetari i Kaçaniku, Besim Ilazi, që i takon partisë politike, PDK, në një intervistë dhënë për Gazetën Online Reporteri.net thotë se komuna që ai udhëheq ka katër vite që nuk ka marrë projekte të reja nga institucionet qendrore, çka tregon se kanë mbetur në gjysmë projekte edhe të ish qeverive të kaluara.

Përkundër kësaj, kryetari Ilazi thotë se ai po punon për t’i përmbushur premtimet që ka dhënë gjatë fushatës zgjedhore, ku tregon në detaje projektet që ka realizuar deri tani, ndërsa flet edhe për partinë e tij.

Lexoni të plotë intervistën me kryetarin e Kaçanikut, Besim Ilazi, dhënë për Reporteri.net.

REPORTERI.net: Ju gjatë fushatës keni dhënë 90 premtime. Sipas GAP shtatë i keni realizuar deri tani, dy janë gjysmë të përmbushura, 23 të filluara, kurse 62 ende jo. Janë krejtësisht të sakta këto statistika apo jo? 

Ilazi: Gjatë kohës së fushatës, kemi hartuar edhe platformën e qeverisjes komunale për 4 vitet e ardhshme. Për të qenë sa më të sinqertë me qytetarët, në platformë kemi specifikuar qartë investimet të cilat kemi planifikuar ti realizojmë me buxhetin komunal. Në të njëjtën kohë kemi paraqitur edhe projektet të cilat janë nevojë e domosdoshme për qytetarët, por që buxheti komunal është i vogël për ti realizuar. Në këtë mënyrë këto projekte të mëdha siç është edhe ndërtimi i objektit të Shkollës Fillore “Emin Duraku”, ku si komunë nuk kemi mundësi për ti realizuar, ndërsa kemi specifikuar përmes fusnotave, se të njëjtat projekte synojmë ti realizojmë nga buxheti i Qeverisë së Kosovës, ku kemi llogaritur edhe në grantin e katërt që ka qenë i proklamuar më herët që do t’i ndahet komunave. Në këtë llogaritje sa i përket projekteve komunale, jemi në rrugë të mirë të realizimit, p.sh: në bujqësi kemi planifikuar ndarjen e shumës 300,000 euro për fermerët si mbështetje në sektorët e bujqësisë (lavërtari, pemëtari, perimekulturë, blegtori dhe bletari) (për katër vite) , ndërsa në koordinim me organizata të ndryshme, kemi arritur që vetëm për një vit ti ndajmë 176 mijë e 781 euro , apo të përfitojnë 392 fermer.

Cilat janë projektet më madhore që keni realizuar deri tani, përmend tre prej tyre, dhe cilat janë projektet tjera madhore që synoni t’i përfundoni deri në përfundim të mandatit? 

Investimet në infrastrukturën sportive këtë vit kanë qenë pjesë e investimeve tona. Palestra Sportive, e cila ka qenë pothuajse e përfunduar, mirëpo gjatë këtij mandati kemi arritur që ta përurojmë dhe ta vendosim në funksion të sportistëve dhe të rinjve të komunës sonë. Ky është njëri ndër projektet më madhore që ka krijuar kushte të jashtëzakonshme për sportistët por edhe për qytetarët në përgjithësi. Këtij objekti i kemi rregulluar edhe hapësirën e jashtme si dhe disa investime të tjera.

Poashtu ndërtimi i sallës së edukatës Fizike në fshatin Begracë, ka mundësuar krijimin e kushteve më të mira për nxënësit dhe për mësimdhënësit, sidomos për ata të Edukatës Fizike. Poashtu tashmë punimet kanë përfunduar edhe në ndërtimin e sallës së Edukatës Fizike në Shkollën e Mesme profesionale, dhe dhe tashmë ajo do të jetë në shërbim të nxënësve.

Ndërkohë investime kemi realizuar edhe në rregullimin e infrastrukturës fizike transportuese për Kompaninë “Pastërtia” ku tashmë kjo kompani është furnizuar me mekanizëm të ri për bartjen e mbeturinave.

Investime janë realizuar edhe në infrastrukturën rrugore, trotuare e ndriçim publik, ndërsa kanë filluar dy projektet madhore Ndërtimi Sheshit të Qytetit si dhe ndërtimi i objektit të ri të zjarrfikësve.

Investime janë realizuar edhe në ujësjellës ku këtë vit kemi investuar me shumën mbi 200 mijë euro, ndërsa në rrjetin e kanalizimit kemi investuar në shumën mbi 230 mijë euro, kurse me projektet dy vjeçare janë planifkuar afër 500 mijë euro.

Kur do të filloni ndërtimin e parkingut nëntokësor që keni premtuar pranë objektit të Administratës komunale dhe kur pritet të përfundojë? 

Me buxhetin komunal tashmë janë planifkuar edhe mjetet për ndërtimin e parkingut nëntokësor në objektin e administratës komunale, ku pritet që projekti të filloj në vitin 2023, projekt dy vjeçar.

Keni dhënë poashtu premtime për ndërtimin e shumë rrugëve, sa jeni duke i realizuar ato? 

Edhe këtë vit nuk jemi ndalur në përmirësimin e infrastrukturës rrugore. Kemi investuar në shumë rrugë, trotuare e ndriçim publik për ndërtimin e mirëqenies qytetare.

Po në ekonomi, urbanizëm, sport, arsim, kulturë, sa jeni duke arritur t’i përmbushur premtimet? 

Tashmë jemi në finalizimin e draftit të parë të Planit Zhvillimor Komunal. Ndërkohë edhe këtë vit nuk kanë munguar investimet në infrastrukturën rrugore, ndërsa kemi marrë vendim që për të gjithë nxënësit e Shkollës Profesionale të ju subvencionohet transporti me qëllim të avancimit të mëtejmë të kësaj shkolle.

Do të avokojmë edhe më tutje në nivelin qendror për të financuar ndërtimin e objektit të ri të Shkollës Fillore “Emin Duraku”, si njëra ndër shkollat me më së shumti nxënës në Komunën e Kaçanikut, si dhe përfundimin e punimeve në objektin shkollor në fshatin Doaganaj.

Investime janë realizuar edhe në fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ku kemi rinovuar Shtëpinë e Kulturës “ Xheladin Kurtaj”, ndërsa janë në përfundim punimet në sallën e leximit të studentëve.

Poashtu kemi iniciuar edhe themelimin e muzeut, ku tashmë është marrë edhe vendimi në kuvend si dhe është formuar këshilli apo grupi që do të punoj në këtë drejtim. Poashtu nga subvencionet komunale janë përkrahur OJQ-të, SHKA-të si dhe klubet sportive me mjete financiare. Ndërsa jemi në përfundim të projektit të hartimit të hartës turistike fizike dhe digjitale, broshurave si dhe katalogut me vende me potencial turistik dhe kulturor.

Sa po mbështet Qeveria Kurti komunën e Kaçanikut? Jeni të kënaqur, apo jeni të lënë anash? 

E kam cek edhe më herët se ky është viti i katërt që nuk kemi marrë projekte të reja nga institucionet qendrore, si dhe në të njëjtën kohë kemi projekte të qeverive të kaluara që kanë mbetur në gjysmë siç është rregullimi i rrugës “Idriz Seferi” e përfundimi i objektit shkollor në fshatin Doganaj.

Sa jeni të kënaqur në mënyrën si po e drejton Memli Krasniqi PDK-në? Kurdo që mbahen zgjedhjet parlamentare, ku e shihni PDK, në çfarë përqindje?

PDK gjatë viteve të fundit është sfiduar, ku në mënyrë të padrejtë krerët e saj janë larguar nga partia për të vazhduar luftën me drejtësinë në Gjykatën Speciale. Në këtë mënyrë edhe kryesia e re, aspak nuk e ka pasur të lehtë që partinë ta drejtoj në këtë gjendje. Megjithatë në zgjedhjet lokale u tregua se PDK vazhdon të mbetet e fortë dhe unike, ndërsa gjithmonë ka vend dhe hapësirë për përmirësime të reja.

Për fund, cilat janë tre vendet që ja vlen të vizitohen në komunën e Drenasit nga qytetarët por edhe turistët e huaj? 

Komuna e Kaçanikut është e pasur me trashëgimi kulturore dhe vende të bukura natyrore. Është fshati turistik Shtraza, që është shndërruar në një atraksion për vizitorët me peisazhin e bukur të pishave dhe bukurive të tjera natyrore. Në këtë fshat si institucione komunale kemi investuar në infrastrukturën rrugore, trotuare e ndriçim publik, më pas është atraksioni turistik “ Lybeteni” si dhe në brendi të qytetit është Kalaja dhe Xhamia e qytetit, të ndërtuara në shekullin e XVI. /Reporteri.net/.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!