×
  • Lajme
  • Lajme

    Kryetari i LDK-së mbërrin në Kuvend

    Reporteri
    22 Mars 2021 | 9:48

    Shefi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka arritur në Kuvendin e Kosovës, ku sot do të mbahet seanca konstituive.


    Përveç Abdixhikut, në Kuvendin e Kosovës kanë arritur edhe ushtruesja e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani, kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj, si dhe deputetë tjerë të partive politike.

    Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancën konstituive të legjislaturës së tetë, duke filluar nga ora 10:00.

    Formimi i komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, dhënia e betimit të deputetëve, zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, janë pikat e rendit të ditës në njoftimin dërguar mediave nga Kuvendi i Kosovës.

    Sipas rregullores së Kuvendit, neni 9 pika 1, punimet e mbledhjes konstituive e udhëheq deputeti më i vjetër i legjislaturës i ndihmuar nga deputeti më i ri sipas moshës. Kjo udhëheqje parashihet të vazhdojë deri në zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

    Në rast se ata mungojnë ose refuzojnë kryesimin e mbledhjes, atëherë angazhohen deputetët të cilët sipas moshës vijnë menjëherë pas tyre.

    Në të njëjtin nen të rregullores, pika 3, thuhet se pas hapjes së mbledhjes dhe paraqitjes së rendit të ditës, kryesuesi i mbledhjes kërkon nga partitë e përfaqësuara në Kuvend ta caktojnë nga një përfaqësues në komisionin e përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve të 120 deputetëve.

    Në zgjedhjet e fundit, Lëvizja Vetëvendosje ka 58 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) 19, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 15, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) 8, Lista Serbe ka fituar 10 ulëset e garantuara, dy mandate i ka fituar Partia Demokratike Turke e Kosovës, nga një mandat kanë Koalicioni Vakat, Unioni Socialdemokrat, Partia Gorane, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Partia e Re Demokratike, Iniciativa Rome, Partia e Ashkalinjëve për Integrim dhe Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës.

    Pas konstituimit të Kuvendit, hapet rruga për formimin e Qeverisë së re, të cilën pritet ta udhëheqë Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!