×
Intervista

Kryetari i Vitisë, Sokol Haliti: Qeveria Kurti ka shkaktuar bllokadë në implementimin e projekteve, LDK po rikthehet fuqishëm

Autor:Blendi Gashi
13 Nëntor 2022 | 20:37

Kryetari i Vitisë, Sokol Haliti që vije nga LDK, adreson kritika në drejtim të Qeverisë Kurti pasi thotë se po bën selektime partiake në ndarjen e fondeve për komunat, dhe siç pohon kjo vërehet edhe nga vizitat që i bën kryeministri.

Përkundër kësaj, Haliti thotë se ai po punon në përmbushjen e premtimeve që ka dhënë para vitiasve, ku tregon se cilat projekte i ka kryer deri tani.

Kryetari Haliti në një intervistë për Gazetën Online Reporteri.net flet edhe për ngjarjet e fundit në veri të vendit, për mënyrën se si po qeverisë Kurti si dhe për gjendjen në LDK.

Lexoni të plotë intervistën me kryetarin e Vitisë, Sokol Haliti, dhënë për Gazetën Online Reporteri.net.

Reporteri.net: Cilat janë projektet që keni realizuar, dhe cilat ju kanë mbetur deri në fund të mandatit që synoni t’i përfundoni?

Sokol Haliti: Gjatë fushatës kam dhënë premtime dhe ato jam duke i realizuar një nga një, pa e harruar asnjërën prej tyre. Jam i sigurt që jo vetëm që do t’i realizojë të gjitha premtimet e dhëna por edhe do t’i tejkalojë.

Premtimet që kam dhënë janë në të gjitha fushat dhe përfshijnë çdo pore të jetës së qytetarëve.

Këto ditë kemi filluar me inkubatorin e biznesit së bashku me qendrën inovative, jemi në fazën e dytë të rrugës “Kongresi i Manastirit”, pasi të parën e kemi përfunduar.

Kemi përfunduar rrugën e Mjakit, atë Viti-Sllatinë e Poshtme, rrugën alternative të Stubllës e Godenit, poashtu të Cernelit, rruga për Samamakovë.

Gjithashtu është bërë asfaltimi i rrugës Kabash-Binçë, si dhe janë rregulluar edhe shumë rrugë bujqësore, nëpër lagje, janë rregulluar kanalizime, janë bërë pastrime të kanaleve e prockave.

Janë shtruar trotuare në fshatin e Ri, në Radivojc-Devajë, Goshicë, Zhiti-Ballancë dhe në Kabas.

Poashtu kemi bërë edhe hapësira të gjelbërta, janë rivitalizuar shkolla, ambullanta, e projekte tjera.

Kemi përfunduar ndërtimin e stadiumit në Pozheran, ndërsa ka nisur ndërtimi i sheshit ‘Calmy-Rey’.

Sa po mbështet Qeveria Kurti komunën e Vitisë? Jeni të kënaqur, apo jeni të lënë anash?

Bllokimi dhe zvarritja e projekteve të nënshkruara më herët vërtetë na ka shkaktuar probleme të mëdha në implementim.

Po bëhet selektim partiak në ndarjen e fondeve për komunat si dhe në vizita.

Si i keni parë zhvillimet e fundit në veri, kërkesat e SHBA-së dhe refuzimin e kryeministrit për targat?

Zhvillimet e fundit në veri janë shqetësuese dhe sidomos moskoordinimi me SHBA-të dhe BE-në për tejkalimin e situatës dhe ruajtjen e sovranitetit të vendit në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën, por edhe obligimet që dalin nga nënshkrimi i marrëveshjes nga ish kryeministrit Hoti në Washington.

Si e vlerësoni qeverisjen e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti? Cilat janë tri sukseset që ja njihni dhe tri dështimet?

Qeveria Kurti nuk ka suksese të theksuara, është pa plan e orientime konkrete zhvillimore ekonomike, ka shkaktuar bllokadë të implementimit të projekteve të planifikuara më herët.

Nuk ka plan konkret për zhvillimin dhe përparimin e bujqësisë si potencial kryesor ekonomik, ndërsa është tejet shqetësues eksodi i të rinjve jashtë vendit, që është një dështim kryesore.

Poashtu politika e jashtme është dështim tjetër i kësaj qeverie.

Kurdo që mbahen zgjedhjet parlamentare, ku e shihni LDK, në çfarë përqindje?

LDK-ja si parti shtetformuese e me traditë të gjatë po rikthehet fuqishëm, dhe këtë e tregojnë edhe sondazhet.

LDK ka bërë edhe me reforma dhe ka program konkret e shumëprofesional, ka kuadro të reja por edhe me organizim të fuqishëm e shtrirje të gjerë.

Për fund, cilat janë tre vendet që ja vlen të vizitohen në komunën e Vitisë nga qytetarët por edhe turistët e huaj?

Vitia është një vend me histori të veçantë kulturo-historike, me shkollat e para shqipe ne Stubëll e Pozheran, me Letnicen vendin ku Nëna Terezë e ka filluar misionin e saj, qytetin me pamje e shesh të ri, me dy lumenj e vende ekoturistike te jashtëzakonshme.
Vërtetë ka shumë vende për tu vizituar.  /Reporteri.net/.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!