Kthimi i TVSH-së në 18% i papërballueshëm për gastronomët

Tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH) për sektorin e gastronomisë nga 1 janari sërish është 18%. Kjo pasi vendimi për këtë çështje ka qenë në fuqi veç deri në fund të dhjetorit të vitit ta kaluar. Por ky vendim i institucioneve qendrore, po cilësohet i papërballueshëm, për udhëheqësit e këtyre bizneseve.

Flamur Smajli, menaxher në njërin nga lokale në Prishtinë, ka thënë se kthimi i vlerës së TVSH-së do të shkojë në dëme të bizneseve duke marrë për bazë se edhe nuk janë ndihmuar nga Qeveria për të përballuar dëmet e shkaktuar nga pandemia.

Madje ai thotë se nuk u ka mbetur zgjidhje tjetër veç se të dorëzohen, duke për përmendur edhe kufizimin e orarit të punës për këtë sektorë si pengesë të madhe.

“Kthimi i 18% na ka dëmtuar se duke llogaritur se ne kemi qenë të dëmtuar edhe pandemisë, nuk kemi pas shtesa, ndihma prej Qeverisë edhe Ministria ka premtuar se 8% ka me vazhduar deri sa të është pandemia, por kjo nuk vlejti prej neve. Prej 1 janarit d.m.th ja kemi nis me 18% TVSH. Normal që ka ndikuar se rritja e TVSH-së, qeto e kem pas bile një lehtësim bile sadopak për pandemi me na ndihmuar, neve na ka mbet tash veç me u dorëzuar gati, nuk kem ndihma as për paga as për ndonjë gjë tjetër. Edhe kufizimi i orarit është deri në 23:00, nuk po merren me këtë çështje, ne tash jemi në gjendjen më të vështirë që kemi mundur me qenë naj herë”, ka thënë ai.

Ilir Gashi, menaxher në një lokal tjetër, thotë se kërkesa e zvogëlimit të TVSH-së ka qenë kërkesë e kamotshme e tyre, po që asnjëherë nuk është marrë parasysh. Ndihma efektiva nga Qeveria ai thotë se nuk kanë marrë, prandaj edhe vendimi është i padrejtë dhe i pavend.

“Mendoj që kthimi i 18% është vendim i padrejtë që iu është bërë jo vetëm gastronomëve, por të gjitha bizneseve në Kosovë, duke e ditur që njëri nga sektorët më të goditur gjatë Covid-19 ka qenë gastronomia. Por edhe para pandemisë non-stop kërkesat e gastronmëve dhe bizneseve të vogla kanë qenë që me u heq 18%, se është diçka e papërballueshme. Kur e hoqën menduam se kemi pas ndihmesë, por duke e marrë parasysh që nuk kemi pas ndihmesa efektive, tash shtoja edhe rikthim e 18%, mendoj se është shumë e padrejtë dhe e pavend”.

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka bërë të ditur se nga 1 janari përveç shërbimeve në veprimtarinë hoteliere, restorante dhe shërbime të ushqimit, TVSH-ja në 18% u rikthye edhe te transaksionet e sigurimit dhe ri-sigurimit në bujqësi, për policat e sigurimeve bujqësore për kulturat bujqësore.

Sipas tyre, kjo ka ndodhur me miratimin e Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike ku ishte plotësuar dhe ndryshuar edhe Ligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, ku përmes nenit 7 të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike që plotësoi nenin 26 të Ligjit për TVSH-në, u theksua se uljes së TVSH-së i bashkëngjiten furnizimi i mallrave dhe shërbimet hoteliere, restorantet dhe shërbimet e ushqimit.