Kur puna bëhet shkel e shko: Shikoni si “lulelakra” mbulon asfaltet e Klinës

Vazhdon të dalë bari mbi asfaltet në rrugët e Kosovës, çka tregon se ato u shtruan shkel e shko.


Pas rastit në Çabiq të Klinës ku Reporteri.net raportoi se si asfalti atje është bërë si “petë lakrori”, dhe si ka dalë mbi asfalt “lulelakra”, situatë e njëjtë paraqitet edhe në një fshat tjetër të kësaj komune.

Fjala është për fshatin Gremnikë ku mbi asfalt kanë mbirë “lulekakra” çka ta jep përshtypjen se ajo nuk është rrugë ku qarkullojnë veturat por ndonjë bahçe që mbjellën lakra, shkruan Reporteri.net

Ndaj gjendjes së kësaj rruge ka reaguar PDK-ja e Klinës e cila parti për vite ka udhëhequr këtë komunë.

Ajo thotë se gjethet jeshile po mbulojnë rrugët e asfaltuara nga qeveria aktuale që drejtohet nga koalicioni AAK-LDK, ndërsa ju bën thirrje qytetarëve.

PDK e Klinës ka publikuar edhe foto se si siç e quajnë ata “lulelakra” ka mbirë edhe në asfaltin e një rruge në fshatin Stapanicë.

PDK ka publikuar dhe foto ku tregon se si është dëmtuar rruga në fshatin Krushevë e Madhe.

Kjo parti thotë se për 272 mijë euro të shpenzuara në këtë projekt, asnjë përgjegjësi, as nga konzorciumi i kompanive dhe as nga kryetari apo drejtori i urbanizmit.

Reagimi i bërë sot nga PDK e Klinës:

“LULELAKRA” EDHE MBI ASFALTIN E RRUGËS NË GREMNIK

Ngarendja për të përfituar një votë më shumë përmes asfaltimit të disa rrugëve rurale, si dhe tendenca për të ndryshuar raportin skandaloz që e ka nxjerr GAP në lidhje me premtimet e pa mbajtura të kryetarit të Klinës, po i detyron pushtetarët që të bëjnë një hap para e dy prapa në “revolucionin” qeverisës të Klinës.

Pavarësisht kritikave dhe këshillave të shoqërisë Civile dhe Opozitës, Polinomi partiak në qeverisjen e Klinës, vazhdon zhvleftësimin e parimeve bazë të shoqërisë-Unitetin në diversitet. Disa seanca radhazi në Kuvendin e Komunës është kërkuar vlerësimi dhe rishikimi i punimeve në disa projekte, që nuk janë pak, të përfunduara dhe të papërfunduara, me qellim që të evidentohen shkeljet dhe të mos përsëriten në projektet e ardhshme. Por, një votë më shumë e Pozitës ka ndikuar që këto iniciativa të mbesin të shënuara vetëm në procesverbale. Dhe për pasojë të kësaj, vazhdohet me keqpërdorime, keqmenaxhime dhe keqqeverisje të projekteve, konkurseve të punësimeve, organizimeve kulturore dhe parasë së taksapaguesve.

Është thënë, është shkruar, është faktuar matrapazllëku që është bërë në asfaltimin e disa rrugëve në tre fshatra të Komunës së Klinës. Në Çabiq, Krushevë të Madhe dhe Stapanicë. Gjethet jeshile kanë dalë mbi sipërfaqe të asfaltit! Për disa ishte nxitëse në krijimtari satirike, për pushtetarët në Klinë-asgjë, e për qytetarët e Klinës-një arsye më shumë për ta braktisë këtë vend të rrjepur, këtë shoqëri të nënshtruar ndaj të keqes.

Çabiqit, Krushevës së Madhe dhe Stapanicës, këtë javë i është bashkuar edhe Gremniku. Asfaltimi i rrugës në fshatin Gremnik, është pranuar si punë e përfunduar sipas standardëve të kërkuara dhe janë aplikuar normativat e duhura – shkruan në vendimin e nënshkruar nga Menaxheri i projektit, drejtori i Urbanizimit L.M. me datë 20. 11. 2018. Normativë e duhur për drejtorin në fjalë dhe pushtetarët e tjerë, siç duket është e kundërta e normativës së duhur.

Në mungesë të aplikimit të normativave të duhura në asfaltimin e rrugës në fshatin Gremnik, sikurse edhe në fshatrat e tjera që e theksuam më lart, gjethet jeshile po e mbulojnë asfaltin e ri. Kështu do të vazhdoj edhe më tutje derisa të merr masa dikush. Ai që do të duhej të merrte masa është kryetari i Komunës, z. Elezaj, por këtë ja pamundëson polinomi partiak në qeverisje.

Duroni edhe dy vjet, qytetarë të dashur.

 

Reagimi bërë nga PDK me 6 maj:

KLINËS PO I “LULËZOJNË” ASFALTET

Pas dështimit të qëllimshëm të themelimit të Komisionit Kuvendar për vlerësimin e projekteve(10) të realizuara dhe të parealizuara në vitin 2018, kërkuar nga Opozita në Kuvendin e Komunës së Klinës, në dy seanca radhazi, punën e zbardhjes së dyshimeve opozitare për projekte të përfunduara keq, po e bënë “Nëna natyrë”!

Daljes mbi asfaltin e shtruar vetëm 6 muaj më parë, të bimëve të gjelbra(disa po i quajnë Lakra) në fshatin Çabiq dhe në Kryshevë e Madhe të Komunës së Klinës, këto ditë, rrugëve të asfaltuara në këtë Komunë i janë shtuar barishtet akoma më shumë. Ky proces i “lulëzimit”, si duket mund të përfundoi vetëm më përfundimin e stinës së verës.

Mediat në Kosovë raportuan dhe faktuan me fotografi muajin e kaluar, se si në një rrugë të asfaltuar në muajin nëntor të vitit të kaluar, në Fshatin Çabiq të Klinës, mbinë bimë jeshile.

Projekti në fjalë kishte “ngrënë” 63.000 euro nga taksapaguesit Klinas. Ndërkohë që Komuna doli me një deklaratë dhe tha se projekti në fjalë nuk është pranuar nga Komisioni I pranimit, drejtori I urbanizmit, L.M. dhe pronari i Kompanisë deklaruan publikisht në media se ju paska tepruar disa kub asfalt dhe e kanë hedhur në atë rrugë, si pa të keq! E 63.000 euro të paguara për këtë rrugë të “asfaltuar”, ku shkuan?

Njëjtë sikurse në Çabiq, muajin e kaluar “lulëzoi” edhe asfalti i ri në rrugën e Kryshevës.

Banorëve të këtij Fshati, që me aq dëshirë e kanë pritur asfaltimin e kësaj rruge, nuk ju zgjati shumë gëzimi, pasi që rruga e tyre u bë pothuajse e pakalueshme pas 4 muajve të asfaltimit.

Pas bërjes publike në Media, pushtetarët e Klinës, dërguan makineritë dhe e bënë copa-copa asfaltin e ri. E arnuan dhe e bënë Tip-Top, me ja pas lakmi edhe Bechtel-ENKA.

Për 272 mijë euro të shpenzuara në këtë projekt, asnjë përgjegjësi, as nga konzorciumi I kompanive dhe as nga kryetari apo drejtori i urbanizmit.

Siç duket, bimët e gjelbra do të vazhdojnë të mbijnë edhe më tutje në rrugët e asfaltuara në Komunën e Klinës, kjo pasi që, këto ditë, në rrugën e fshatit Stapanicë, të asfaltuar në muajin tetor të vitit 2018, gjethet kryeneçe dolën mbi sipërfaqen e zezë të asfaltit.

Me të vërtetë për të të ardhur keq sa të papërgjegjshme janë kompanitë që marrin para e nuk e kryejnë punën. Sa të papërgjegjshëm janë pushtetarët e Klinës, të cilët paguajnë pa ju dhimbsur fare parat e tatimpaguësve.

Duke e dështuar themelimin e Komisionit për vlerësim të projekteve në fjalë dhe të tjera të dyshuara, duke mos marrë masa ndaj drejtorit të Urbanizmit për dështim në pothuajse të gjitha projektet dhe i cili dyshojmë se përfiton materialisht nga Kompanitë që marrin tenderë në Komunën e Klinës, duke mos penalizuar kompanitë që nuk i përmbahen kontratës dhe projektit, Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, bëhet bashkëfajtor dhe keqpërdorues i mandatit të cilin ja ka dhënë qytetari i Klinës.

/Reporteri.net/.