×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti: Asociacioni mund të adresohet te plani franko-gjerman, por në frymën e Kushtetutës

    Reporteri
    12 Janar 2023 | 14:39

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nga Vjena ku po qëndron për vizitë zyrtare ka folur për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, themelimi i së cilit iu kërkuar edhe dje nga këshilltari amerikan në Departamentin e Shtetit, Derek Chollet.

    Kuri në një konferencë për media bashkë me kancelarin austriak, i pyetur për këtë çështje, tha se çështja e Asociacionit mund të adresohet në planin franko-gjerman, tashmë i quajtur plan evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, por shtoi se Kushtetuta e Kosovës nuk lejon Asociacion një-etnik, shkruan Reporteri.net.

    “Më 9 shtator të vitit të kaluar, e kemi pranuar këtë propozim  ne besojmë që është bazë e mirë ky propozim për të vazhduar tutje në negociata. Jemi në një moment kur flasim e diskutojmë për një marrëveshje për normalizim të plotë dhe aty edhe çështja e Asociacionit mund të adresohet, megjithatë sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës që i ka dhënë shumë privilegje pakicës serbe dhe që është përpiluar nga zoti Ahtisaari, në frymën e saj nuk lejon Asociacion një etnik. Fjalia e parë e asaj zgjidhje të hartuar nga Ahtisaari dhe zoti Rohan që në fjalinë e parë thotë që Kosova duhet të jetë në shoqëri shumetnike. Asociacionet monoetnike nuk janë në frymën e atij plani. Ne megjithatë ofrojmë të drejta për të gjitha pakicat. Jam shumë i angazhuar në këtë drejtim por pa nënvlerësuar kushtetutshmërinë e Republikës sonë”, u shpreh Kurti.

    Kurti ka thënë se pala kosovare është konstruktive në dialog dhe se ky proces  do të duhej të çonte në një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve në mes të dy vendeve, të përqëndruar në njohje të ndërsjellë.

    Gjatë ditës së djeshme këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet tha se “Kosova duhet të përmbushë të gjitha zotimet në kuadër të dialogut, përfshirë edhe formimin e Asociacionin e komunave me shumicë serbe”.

    “Ne besojmë që ky dialog është mjeti më i mirë për Kosovën që të sigurojë të ardhmen e vetë të plotë euroatlantike. Dhe presim nga Kosova t’i plotësojë të gjitha obligimet e saj nën dialog që përfshinë themelimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe. Ne mendojmë që kjo është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Mendojmë që zhvillimet e fundit vetëm sa e kanë theksuar rëndësinë e themelimit të tij”.

    Chollet ka theksuar se ShBA nuk e përkrah një asociacion si Republika Serbe, por asociacion në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

    “Ne presim nga Qeveria e Kosovës të paraqesë disa propozime në tavolinë. Dua ta bëj të qartë që ne nuk e përkrahim dhe nuk do ta përkrahim aranzhime si ato të Republikës Serbe dhe nuk po i kërkojmë Kosovës të përkrahë çfarëdo aranzhimi që nuk është në përputhje me Kushtetutën e vet dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Kuvendi i Kosovës e ka ratifikuar, Marrëveshja e Brukselit – Gjykata Kushtetuese ka vendosur që është e domosdoshme të themelohet komuniteti i komunave me shumicë serbe dhe që ne besojmë që formimin e tij e bën ligjërisht obliguese për Qeverinë e Kosovës”, ka thënë Chollet. /Reporteri.net/.

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!