×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti: Detajet për zgjedhje në veri do t’i diskutoj me Lajçakun dhe Escobarin, por së pari duhet sundim i ligjit

    Reporteri
    02 Qershor 2023 | 23:04
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në intervistë për NBC News.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se është i hapur ndaj mundësisë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës.

    Kurti tha se detajet për organizim të zgjedhjeve do t’i diskutojë javën e ardhshme, me emisarin e posaçëm nga Bashkimi Evropian, Miroslav Lajçak, dhe ai i SHBA-ve, Gabriel Escobar, të cilët do të ‘zbarkojnë’ në Kosovë, transmeton gazeta online Reporteri.net.

    Këto deklarata, Kurti i bëri në një intervistë për NBC News.

    “Javën e ardhshme, të dërguarit specialë nga BE-ja dhe SHBA-ja, Lajçak dhe Escobar do të vijnë në Kosovë dhe do të diskutojmë detajet. Unë besoj në zgjedhje të parakohshme, por për këtë na duhet sundimi i ligjit dhe fushata e lirë dhe e ndershme për zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

    Kriza në veri, Escobar e Lajçak “zbarkojnë” në Kosovë e Serbi javën e ardhshme

    Në mënyrë që të organizohen zgjedhjet, shefi i ekzekutivit kosovar tha se duhet eliminuar veprimet tendencioze nga banda kriminale në Serbi, dhe kështu të mundësohet mbajtja e fushatave për zgjedhje të lira.

    “Këta ekstremistë të dhunshëm dhe turma që morën pjesë në këto protesta të dhunshme duhet të dalin para drejtësisë dhe pastaj të krijohen kushtet paraprake për kampanja zgjedhore dhe zgjedhje të hapura”, tha Kurti.

    “Pa dyshim që, kryetarët të cilët fituan zgjedhjet më 23 prill kanë legjitimitet të ulët për shkak të pjesëmarrjes së ulët në këto zgjedhje, por ne bëmë thirrje që të gjithë të marrin pjesë në zgjedhje por Beogradi zyrtar ka bërë shumë presion, ka kërcënuar dhe shantazhuar serbët që të mos marrin pjesë në zgjedhje, tani këta kryetarë kanë legjitimitet të ulët por janë të vetmit legjitimë”, tha tutje ai. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!