×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti dhe Borrell bëhen bashkë në Spanjë, ky i fundit thuhet se “duartrokiti ngrohtësisht” fjalimin e kryeministrit

    Reporteri
    26 Nëntor 2022 | 16:48

    Qëndrimi në Spanjë ku kryeministri Kurti po merr pjesë në Kongresin e Internacionales Socialiste, duket se e ka bërë bashkë me kryediplomatin evropian, Josep Borrell me të cilin Kurti kishte përplasje javën e fundit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Ministri i Qeverisë, Hajrulla Çeku  ka publikuar pamje nga ky organizim, duke thënë se fjalimi i Kurtit, u duartrokit madje edhe nga kryediplomati evropain, Josep Borrell, me të cilin Kurti kishte përplasje javën e fundit.

    “Vizitë e shkëlqyeshme e Kryeministrit Albin Kurti në Spanjë.

    Përveç pjesëmarrjes në Kongresin e Internacionales Socialiste dhe fjalimit të tij që u duartrokit ngrohtësisht edhe nga Josep Borrell, Kryeministri Kurti zhvilloi takime me liderë shtetëror e partiak nga Europa dhe bota, përfshirë shtetet që nuk e njohin Kosovën.
    Ndër shumë, Kryeministri Kurti u takua me Kryeministrin e Spanjës, Pedro Sanchez, ish Kryeministrin e Greqisë dhe deputetin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, George Papandreou, ish Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Javier Solana dhe Kryetarin e Malit të Zi, Milo Djukanovic”, ka shkruar ndër të tjera Çeku.

    Kurti kritikoi Borrellin edhe sot, në intervistën për mediumin spanjoll “El periodico”, duke thënë se Borell s’duhet të vrapojë pas çështjeve teknike sikurse targat por që të merret me marrëveshjen e vërtetë në mes të Kosovës dhe Serbisë.

    Përplasja Kurti-Borrell nisi të hënën kur pas 8 orë negociata në Bruksel, kryediplomati evropian përcaktoi fajtorin për këtë dështim.

    Borrell tha se Kurti refuzoi propozimin e BE’së për mosgjobitje të vozitësve me targa “KM”, derisa tha se Presidenti i Serbisë pranoi që MPB-ja serbe të mos lëshojë më targa “KM” të tjera.

    Në anën tjetër kryeministri Kurti akuzoi Borrellin duke thënë se braktisi propozimin franko-gjerman duke kërkuar dakordim vetëm për targat.

    Ndërkaq, pas arritjes së marrëveshjes të mërkurën mbrëma, Kurti sërish tha se ishte Borrell ai që ndryshoi deklaratën dhe jo pala kosovare.

    Madje, kryeministri Kurti tha se ajo që u arrit të mërkurën nuk është marrëveshje për targa, por është dakordim, me të cilin synojnë t’i japin hapësirë negocimit të propozimit franko-gjerman.

    “Ata që thonë ajo që nuk është pranuar të hënën, është pranuar të mërkurën ndryshme, nuk e dinë se për çka po flasin. Është dyfish tekst më i madh. Nuk është marrëveshje, është dakordim, por jo marrëveshje. Është deklaratë e Borrelit. Mbrëmë është ndryshuar deklarata e Borrellit. Ne nuk kemi ndryshuar qëndrim, Borreli ka ndryshuar deklaratën. Kjo është shumë mirë”, tha Kurti ndër të tjera.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!