Kurti: Dialogun do ta udhëheq unë, jo Thaçi

Albin Kurti la të kuptohet se nëse do të kishte votat do ta shkarkonte Hashim Thaçin si president.


“Problemi më i madh që kemi me Presidentin, tani ta shohim pas vendosjes sonë si qeveri dhe fitores në zgjedhje, është se sa i përket raporteve me Serbinë, sepse ka qenë fort problematik në këto dy vitet e fundit. Ai ka bërë diçka të paimagjinueshme për ne para tre vjetëve, për shkak se në njërën anë ka pranuar që të bëjë një lloj shkëmbimi territorial me Serbinë. Ai e ka quajtur korrigjim i kufirit me kompromis të dhimbshëm, ku Veriu është dhuratë e Rankoviqit”, tha Kurti në emisionin Opinion.

Sa i përket dialogut me Serbinë, kreu i Vetëvendosjes tha: “Dialogu është ndërprerë. Unë jam për dialog parimor dhe mendoj që duhet ky dialog të jetë i përgatitur mirë dhe të mos dështojë. Jam i interesuar që taksën ta zëvendësoj me parimin e reciprocitete. Në të gjitha aspektet me Serbinë duhet të sillemi në mënyrë simetrike. Ajo të njohë dokumentacionin e Kosovës, reciprociteti sa i përket të drejtave të autorit dhe investimeve”.

Kurti po ashtu tha se SHBA-ja ka marrë rol kryesor në këtë dialog.

“Unë nuk do jem arrogant me opozitën. Do krijoj një ekip negociator bashkë me opozitën dhe  nuk do lejoj që Serbia të na përçajë. Dialogun do ta drejtoj unë”, tha Kurti, duke theksuar se presidenti Thaçi nuk do të ketë asnjë rol.

“Këtë dialog do ta udhëheq unë, presidenti do të jetë president. Ai është përfaqësuesi i politikës së jashtme por jo krijues i politikës së jashtme”, deklaroi Kurti.