×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti e Mustafa me deklarata kundërthënëse për takimin e radhës

    Reporteri
    20 Nëntor 2019 | 16:01

    Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka bërë të ditur se do të takohet me Isa Mustafën para certifikimit të rezultatit të zgjedhje, por nuk ka dhënë një datë të caktuar.


    “Së pari me siguri do të takohemi para certifikimit të rezultatit me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafën, së dyti mbi 80 për qind është harmonizuar programi qeverisës VV-LDK, së treti jemi dakorduar që me insistim do të synojmë vetëm 12 ministri, më së shumti nga dy zëvendësministra për ministri dhe së paku 30 përqind gra ministra dhe vetëm pas harmonizimit të plotë programor për mandatit tonë qeverisës me një dokument shumë faqesh”, ka deklaruar Kurti.

    Kurse sa i përket ndarjes së ministrive, ka thënë se kjo nuk është gjë e vështirë.

    “Ne do ta bëjmë edhe ndarjen e përgjegjësive në ekzekutiv por kjo është pjesa më e lehtë e punës, se më e vështira tashmë e kemi kaluar, e ky është harmonizimi programor”, tha Kurti, shkruan Reporteri.net.

    Por saktësisht një javë më parë, kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se me Kurtin mund të takohet për kafe, por se nuk do ketë biseda për marrëveshje pa u vertifikuar rezultatet.

    “Nuk do të ketë asgjë serioze pa certifikimin e rezultateve. Rezultatet nuk do të certifikohen për 15 ditë ose 20 ditë, sepse deri atëherë nuk e dimë përfundimisht sa deputetë do t’i ketë LDK-ja, sa do t’i ketë VV-ja dhe si do ta konstituojmë një marrëveshje të ardhshme të koalicionit. Ne mund të takohemi me pi kafe, por s’mund të takohemi të bëjmë marrëveshje, sepse gjërat nuk kanë përfunduar”, kishte deklaruar Mustafa.

    Kujtojmë se zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa ka deklaruar sot për mediat se Kurti e Isa Mustafa pritet të takohen javën e ardhshme.

    /Reporteri.net/.

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!