×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti e quan qeverinë e tij më të mirën ndonjëherë: Kosova po bëhet storie suksesi

    Reporteri
    13 Korrik 2021 | 13:03

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova mund të vazhdojë të funksionojë pa njohjen nga Serbia dhe se Qeveria që ai udhëheq nuk pranon të paguajë as me territor e as me funksionalitet të shtetit për ta fituar këtë njohje.


    Në një intervistë për “europeanwesternbalkans”, Kurti ka thënë se megjithatë do të ishte mirë që Serbia ta njohë Kosovën.

    “Sigurisht se do të preferoja që Serbia ta njohë Kosovën, por nëse nuk e bën këtë, duhet të jetojmë pa atë njohje. Nuk jam duke planifikuar ta zëvendësoj varësinë e kaluar të Kosovës nga Serbia me varësinë e re të Kosovës nga njohja e Serbisë për shtetin tonë të pavarur. Për 13 vjet deri tash, kemi jetuar pa njohjen nga Serbia. Do të ishte mirë të na njohë, por nuk do të paguajmë për këtë, as me territor e as me funksionalitet të shtetit tonë. Kosova është e pavarur. E kanë njohur 26 nga 30 shtetet e NATO-s, 22 nga 27 shtete anëtare të BE-së. Rusia e Kina jo, por SHBA-ja, Franca e Britania e Madhe në Këshill të Sigurimit po. Duhet të ecim përpara”, ka thënë ai.

    Kurti ka folur edhe për refuzimin e Kosovës që të jetë pjesë e iniciativës së Mini-Schengenit rajonal. Sipas tij, s’ka logjikë që të vazhdohet me këtë iniciativë kur nga Procesi i Berlinit tashmë është Tregu i Përbashkët Rajonal e ende s’ka njohje nga Serbia.

    Për Marrëveshjen e Washingtonit, Kurti ka lavdëruar pikën që parashihte njohjen nga Izraeli, ndërsa problematike e ka parë moratoriumin që Kosova të kërkojë pranim në organizata ndërkombëtare e njohje të shteteve.

    Qeverinë e tij e ka cilësuar si më të mirën ndonjëherë në Kosovë.

    “Po e forcojmë shtetin e Kosovës. Kosova po bëhet storie suksesi. Dhe taktika e vjetër e salamit – çka më jep për njohje s’do të ndodhë kurrë, s’do të funksionojë”, ka shtuar ai.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!