×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti gjatë garës për kryeministër u premtonte pensionistëve: Pension minimal 150 euro gjatë mandatit të parë

    Reporteri
    13 Janar 2022 | 11:59

    Kryeministri Albin Kurti ka vendosur që pensionistëve t’ua bëjë pensionin minimal 100 euro. Por ai ndryshe kishte premtuar gjatë garës për kryeministër në vitin 2017. Kurti kishte takuar pensionistët gjatë fushatës elektorale dhe iu kishte premtuar se brenda mandatit të parë të qeverisjes së tij, pensioni minimal do të bëhet 150 euro.

    “Trajtimi i pensionistëve në shtetin tonë ka qenë jo dinjitoz, dhe qeveritarët e mëparshëm kanë qenë mosmirënjohës ndaj gjeneratave më të moshuara. Me qeverisjen e Lëvizjes pensioni minimal do të bëhet 150 euro brenda mandatit të parë”, kishte shkruar Kurti

    Ai po ashtu kishte premtuar edhe transport publik falas për ta.

    “Shumë shërbime publike, ndër të cilat dhe transporti publik, do të jenë falas për pensionistët”, kishte shkruar Kurti”, kishte shkruar ai.

    Dje, qeveria e Kosovës ka miratuar propozim-vendimin e Ministrisë së Financave për rritjen e shumës së skemave pensionale për katër kategori të cilat kanë qenë nën shumën 100 euro tani do të jenë 100 euro.

    Në fjalën e tij, ministri i Financave Hekuran Murati tha se vendimi për rritje të skemave pensionale të këtyre kategorive në shumën 100 euro është e përhershme pas shtesave që ishin bërë në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

    “Ne me të marrë mandatin në kuadër të pako së ringjalljes ekonomike kemi marrë vendim për shtesa që asnjë pension të mos ishte nën 100 euro. Këtu janë 4 kategori, pensionet bazike që kishin vlerën 90 euro, pensionet e aftësive kufizuara që ka vlerën 75 euro, pensioni familjar që ka vlerën 90 euro dhe pensioni invalidor i punës që ka vlerën 90 euro. Siç e kemi premtuar kjo shtesë do të bëhet rritje e përhershme dhe këto kategori pensionesh asnjëra nuk do të jetë nën 100 euro andaj ju ftoj ta votojmë”, ka thënë Murati.

    Propozim-vendimi i Ministrisë së Financave është miratuar me shumicë votash nga kabineti qeveritar

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!