×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti i kërkon SHBA’së e BE’së që t’i vendosin dënime Serbisë, KFOR’it largimin e barrikadave

    Reporteri
    10 Dhjetor 2022 | 21:22
    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka kërkuar nga ShBA dhe BE që t’i vendosin dënime Serbisë, pas sulmeve të njëpasnjëshme të qytetarëve serbë ndaj Policisë së Kosovës si dhe vendosjes së barrikadave në Veri.

    Kurti ka thënë se presidenti serb Vuçiq e kryeministrja Brnabiq, po synojnë që të kthehen në kohë të Millosheviqit, si dhe ta distancojnë Kosovën sa më shumë nga BE’ja, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    “Ka disa ditë që Serbia kërcënon Kosovën me agresion. Presidenti dhe kryeministrja e Serbisë bëjnë thirrje për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë. Një mijë ushtarë thonë, duke u thirrur në Rezolutën 1244 (1999) të KS të OKB-së. Ata duan një kthim të dyfishtë. E para, kthim në kohën e Milosheviqit dhe të luftës. Së dyti, që çështja e Kosovës të kthehet në OKB dhe sa më larg BE-së.”, ka shkruar Kurti në një reagim në Facebook.

    Në thirrjen e tij drejtuar ShBA’së dhe BE’së, kryeministri Kurti tha se çdo vonesë për dënim ndaj Serbisë do ta inkurajojë akoma më tepër Beogradin që ta destabilizojë situatën në Kosovë.

    “Çdo mosdënim i vendosur nga ana e BE-së dhe ShBA-ve i kësaj dhune të orkestruar do të inkurajojë Beogradin zyrtar për më shumë nxitje për destabilizim të Kosovës”.

    Tutje, Kurti ka kërkuar që menjëherë të hiqen barrikadat e vendosura në Veri, dhe se për këtë, ministri Sveçla është në kontakt të vazhdueshëm me KFOR’in.

    “Kosova është vend i qytetarëve të lirë e punëtorë, pa dallim etnie e feje, gjinie e moshe. Kriminelët dhe rusofilët do të dështojnë. Republika e Kosovës do të fitojë”. /Reporteri.net/.

    Reagimi i plotë i Kryeministrit:

    Ka disa ditë që Serbia kërcënon Kosovën me agresion. Presidenti dhe kryeministrja e Serbisë bëjnë thirrje për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë. Një mijë ushtarë thonë, duke u thirrur në Rezolutën 1244 (1999) të KS të OKB-së.

    Ata duan një kthim të dyfishtë. E para, kthim në kohën e Milosheviqit dhe të luftës. Së dyti, që çështja e Kosovës të kthehet në OKB dhe sa më larg BE-së.

    Si reagim ndaj propozimit të BE-së të mbështetur nga Franca e Gjermania (dhe ShBA-të), duan kthim te KS i OKB-së ku ndodhet vetoja e Rusisë (dhe Kinës).

    Kosova është shtet evropian, demokratik dhe pro-amerikan. Me këtë udhëheqje që ka, Serbia është autokratike, pro-aziatike dhe luftënxitëse. Ne nuk duam konflikt, ne duam paqe dhe progres, por agresionit do t’i përgjigjemi me gjithë fuqinë që kemi.

    Tash që as targat e automjeteve dhe as datën e zgjedhjeve nuk mund t’i përdorin si pretekst, strukturat ilegale të Serbisë të shndërruara në banda kriminale u zbuluan në etjen e tyre për zjarr e gjak.

    Çdo mosdënim i vendosur nga ana e BE-së dhe ShBA-ve i kësaj dhune të orkestruar do të inkurajojë Beogradin zyrtar për më shumë nxitje për destabilizim të Kosovës.

    Ministri i brendshëm Sveçla është në kontakt me Komandantin e KFOR-it Ristuccia. Barrikadat e kriminelëve me maska në veri duhet të hiqen menjëherë. Kosova është vend i qytetarëve të lirë e punëtorë, pa dallim etnie e feje, gjinie e moshe. Kriminelët dhe rusofilët do të dështojnë. Republika e Kosovës do të fitojë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!