×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti komenton deklaratën e Lajçakut: Nuk duhet të barazohet komuniteti me Asociacionin – s’janë e njëjta gjë

    Reporteri
    22 Mars 2023 | 12:32

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përkundër angazhimeve të shumta në dialog kohëve të fundit, ka përsëritur edhe sot se dialogu me Serbinë nuk është në top-prioritetet e qeverisjes së tij, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Nuk është top prioritet në angazhimet e mia, as për nga vëllimi, as për nga intensiteti. Ju nuk e dini se çfarë bëjë unë tërë ditën dhe nëse shihni angazhimet për ekonomi, arsim, shëndetësi, infrastrukturë, pakicat e tjera, për financat, komunat, angazhimet ndërkombëtare për marrëdhëniet bilaterale me shtetet e tjera, vëllim gjigand është i punës kjo. Mund të ju duket juve, por unë e përjetoj. Nëse e shihni nga angazhimi im, ditor, mujor e javor, nuk është dialogu top prioritet. Unë në vikend isha në Ohër. Tash nuk jam në Ohër dhe merrem me punët e tjera. E kemi zëvendëskryeministrin e cili e ka dialogun pjesë të portofolit, por jo para integrimeve evropiane”, ka thënë Kurti në një konferencë për media.

    Kryeministri është pyetur edhe rreth deklaratës së ndërmjetësit evropian në dialog, Miroslav Lajçak se, i cili dje tha se neni 7 i marrëveshjes së dakorduar flet për për zbatimin e marrëveshjes së viteve 2013 dhe 2015, që përfshinë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Kurti tha se nuk duhet të barazohet fjala “komunitet” me fjalën “komunë” apo “Asociacion”. Kreu i Qeverisë pohoi se këto dyja “nuk janë tërësisht të pavarura, nuk janë të ndashme prej njëra-tjetrës në mënyrë absolute, por larg prej të njëjtës gjë”.

    “Në pikën 7 të marrëveshjes bazë thuhet një nivel adekuat i vetmenaxhimit të komunitetit serb. Thuhet komunitetit serb, jo komunave. Komuniteti nuk është kategori territoriale, komunat janë njësi territoriale dhe administrative. Pra, nuk është e njëjta gjë. Unë i kuptoj që s’janë plotësisht të ndryshme, të palidhura, por s’janë e njëjta gjë. Unë e kam thënë edhe në Kuvend se nga pikëpamja ime e fuqishme, jo thjeshtë politike, por edhe juridike, kur themi komuniteti serb atëherë automatikisht shkojmë tek marrëveshja kornizë për mbrojtjen e pakicave sipas Këshillit të Evropës. Kjo është platforma, ky është regjistri im si kuptohet dhe angazhohemi për komunitetet, përfshirë edhe atë serb. Ne nuk e mohojmë asnjëherë që janë bërë dy marrëveshje nga paraardhësit tanë, por që të dyja janë shumë të cënuara në të kaluarën. Marrëveshja e parë është cënuar nga vetë presidenti i Serbisë, i cili ju ka dhënë urdhër strukturave të Serbisë për një herë inkuadrim në sistemin e Kosovës e më pas dorëheqje kolektive. Kjo është shkelje e marrëveshjes së 19 prillit 2013. Marrëveshja e vitit 2013 ne nuk e mohojmë se ekziston, por njëkohësisht konstatojmë se në mënyrë të dyfishtë është shkelur. Dhe tjetra është marrëveshja e vitit 2015 që nuk e ka kaluar testin e Kushtetueses. Jo në dy apo tri nene, por në 23 nene gjithsej. Prandaj, duhet ti kemi parasysh edhe këto elemente. Nuk bën të barazohet fjala komunitet me fjalën komunë e as Asociacion, ashtu si nuk bën të barazohet fjala popull me me Republikë. Edhe një herë po e them: nuk janë tërësisht të pavarura, nuk janë të ndashme prej njëra-tjetrës në mënyrë absolute, por larg prej të njëjtës gjë, u shpreh Kurti para gazetarëve. /Reporteri.net/

    Lajçak: Vetëmenaxhimi nënkupton krijimin e Asociacionit

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!