×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti konfirmon takimin e radhës me Vuçiqin, pason pas atij të kryenegociatorëve

    Reporteri
    30 Mars 2023 | 10:29

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka konfirmuar se takimi i nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, do të mbahet pas takimit që priten të kenë kryenegociatorët e të dyja vendeve gjatë javës së ardhshme në Bruksel.

    Kurti mbrëmë ka konfirmuar se fillimisht do të mbahet një takim mes kryenegociatorësh, e pastaj ai i nivelit të lartë.

    “Ne do të takohemi në prill, fillimisht kryenegociatorët do të takohen e më pas niveli i lartë. Aty do të flasim për zbatimin e marrëveshjes”, tha Kurti gjatë intervistës në Debat Plus.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti  gjatë ditës së djeshme ka thënë se marrëveshja e dakorduar në Ohër duhet të ketë zbatim sa më të shpejtë dhe të saktë, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Kurti ka thënë se takimi i javës së ardhshme në nivel kryenegociatorësh ka të bëjë me zbatimin e marrëveshjes tashmë të dakorduar.

    Kryeministri ka përsëritur se marrëveshja duhet të zbatohet në tërësi e assesi të ketë “copëtim” të saj.

    “Takimi që do të bëhet në javën e parë të prillit që do të mbahet në Bruksel nuk do të jetë takim mes meje e Vuçiq por ndërmjet kryenegociatorëve. Më 4 prill ata do të diskutojnë çështjen e zbatimit të marrëveshjes, që tashmë është dakorduar. Pra, ka marrëveshje, ekziston marrëveshja, ajo është shumë e qartë, publike për të gjithë dhe kemi nevojë për zbatim të shpejtë e të saktë të saj, prandaj ka nevojë për një takim të kryenegociatorëve.

    Së pari marrëveshja duhet të zbatohet e tëra. Nuk ka mundësi që diçka të zbatohet, e diçka jo, ashtu siç nuk mund të ketë nënshkrim të njëanshëm të marrëveshjes, ashtu nuk duhet të ketë as zbatim të njëanshëm”, tha Kurti.

    Kujtojmë se takimi i kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, është caktuar për të martën, 4 prill.

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, do të shkojnë javën e ardhshme në Bruksel për të “diskutuar për hapat e ardhshëm në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”./Reporteri.net/

    Kurti: Duhet zbatim i saktë e sa më i shpejtë i marrëveshjes, urgjente çështja e të pagjeturve

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!