×
  • Lajme
  • Lajme / Krimet e luftës

    Kurti kujton Masakrën e Poklekut: Dëshmi e gjenocidit të Serbisë

    Reporteri
    13 Korrik 2024 | 21:14

    Kryeministri i Kosovës, e ka përkujtuar masakrën e Poklekut. Ai tha se Serbia me projektin e saj “Paktoi”, vrau edhe foshnje të palindura me qëllim që ta shfaroste popullin shqiptar.

    Kurti u shpreh se shqiptarët e Kosovës, janë të mbijetuarit e gjenocidit serb në Kosovë.

    “Sapo kishte mbushur dy vjet e katër muaj, Fatosi u vra dhe u dogj nga forcat e Serbisë. E vranë bashkë me motrën Eronitën (3 vjeçare), nënën Florijen (25 vjeçare), gjyshen Miradijen (56 vjeçare) dhe dy hallat Zarifen (23 vjeçare) e Arifen (21 vjeçare).

    Më 17 prill 1999, në shtëpinë e familjes Muçolli, u vranë 53 civilë shqiptarë të paarmatosur, nga 75 vjeç, te foshnja 6 muajshe, Liria, e deri te gratë shtatzëna. U vranë edhe foshnjet në djep, e foshnjet e palindura, sepse ishin e ardhmja e një populli të cilin Serbia donte ta shfaroste me projektin serbomadh “Patkoi”.

    Ne, populli i Kosovës, jemi të mbijetuarit e gjenocidit të Serbisë në Kosovë. Prandaj asnjëherë nuk mund të harrojmë. Gjithnjë do të dëshmojmë”, tha ai.

    Kryeministri theksoi se Pokleku i vjetër është dëshmi e gjenocidit serb kundër shqiptarëve të Kosovës.

    “Sot ishim në Poklekun e Vjetër, që është dëshmi e gjenocidit serb kundër shqiptarëve në Kosovë. Bashkë me të mbijetuar e dëshmitarë të masakrës së 17 prillit, u promovua monografia “Shtëpia me gjak në mure” nga autori Afrim Hysenaj. Në këtë libër dokumentohen krimet e forcave të armatosura serbe ndaj familjeve Muçolli nga Pokleku, Caraku nga Dritani (ish-Dobroshevci), Elshani nga Korrotica e Poshtme dhe Hoxha nga Korrotica e Epërme”, tha ai.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!