×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti: Masakra e Dubravës vazhdon të mbetet një prej episodeve më të tmerrshme të historisë sonë

    Reporteri
    22 Maj 2021 | 11:52

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar 22-vjetorin e Masakrës së Dubravës, ku më 22 maj 1999, forcat serbe për disa ditë ushtruan dhunë fizike dhe psikike mbi të burgosurit, para se t’i ekzekutonin më shumë se 100 prej tyre.


    Kurti nëpërmjet një postimi në Facebook tha se të mbijetuarit nëpër vite kanë treguar tmerrin që kanë përjetuar në ato ditë, kur të gjithë janë mbledhur në fushë afër pavijonit të fundit dhe kanë kaluar orët të trembur, bashkë me të vdekurit.

    “Masakra e Dubravës është trajtuar vetëm në procedurën gjyqësore kundër Sllobodan Millosheviqit në Tribunalin e Hagës, proces ky i cili ka mbetur i papërfunduar”, shkroi Kurti ndër të tjera në llogarinë e tij.

    “Sot nuk shihet asnjë gjurmë nga kjo masakër, meqë pavijonet e Burgut të Dubravës kanë qenë ndër të parat që janë rindërtuar menjëherë pas luftës, duke pamundësuar kështu ruajtjen e gjurmëve dhe ngjarjeve që do të na shërbenin për kujtesën kolektive.”
    “Mirëpo nga sot në oborrin e burgut të Dubravës, te vendi i pushkatimit, do të jetë një lapidar në kujtim të të burgosurve të vrarë, të plagosur dhe të mbijetuar të kësaj masakre që shënon një tjetër dëshmi të gjenocidit të Serbisë mbi popullin shqiptar në pranverën e vitit 1999”, u shpreh kreu i ekzekutivit.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!